ASNN – Zhvillimi i fazës përgatitore të Vllaznisë është në një pikëpyetje të plotë. Është folur se mund të bëhet në Ulqin, por një mundësi vajtjeje në Antalia të Turqisë ka ofruar dhe biznesmeni Lutfi Nuri. Por as njëra dhe as tjetra akoma nuk kanë marrë rrugë. Nëse për të parën, atë të Ulqinit, trajneri Armando Cungu është dakord, sepse aty ka ndërtuar edhe programin me disa ndeshje miqësore, variantin e Turqisë e sheh si jo të përshtatshëm për kushtet e Vllaznisë.
“Kërkesat e mia kanë qenë që në fund të muajit nëntor 2016 për të lëvizur, pasi edhe kampionati fillon shumë herët, me 21 janar 2017, datë në të cilën do të ndeshemi me Kukësin në Shkodër, – ka thënë trajneri i kuqebluve. – Kështu që, mundësitë për të pasur një periudhë të gjatë pushimi nuk ishim, dhe, në këto kushte, kam kërkuar që data 5 janar të jetë nisja për në Ulqin. Kështu kanë qenë të paktën bisedat. Kam pasur dhe një bisedë me dy drejtuesit më të lartë të klubit.”
“Me administratorin dhe drejtorin teknik, atje ku kemi diskutuar jo vetëm për fazën përgatitore, por edhe për ndërhyrjen në merkato, – ka vijuar Cungu. – Dëshira është e madhe, megjithatë, duhet të gjendet një fond financiar për të shkuar dhe, uroj që ky fond të gjendet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk kemi kohë për ditët që të mungojmë. Sa më shpejt të jetë e mundur ikja aq më tepër do t’i vlente ekipit të Vllaznisë.”
“Duhet të kuptojmë që nga ana profesionale është mëse e domosdoshme, minimalisht një dhjetë-ditësh stërvitje për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit”, – sqaron trajneri i Vllaznisë. Mandej, referuar edhe asaj që është publikuar në të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres” rreth një dëshire të supozuar të Lutfi Nurit për ta dërguar Vllazninë në Antalia për fazën përgatitore, Cungu shprehet: “Është folur edhe për Turqi, apo të tjera variante.”
“Unë nuk kam qenë partizan, jo se nuk më pëlqen për të shkuar në Turqi, më pëlqen për të shkuar edhe në Portugali, apo në Spanjë, ku kam bërë fazën përgatitore me (ish-skuadrën e tij) Laçin. Por kushtet nuk janë për Vllazninë e Shkodrës. Kam thënë se nëse është serioze ikja në Turqi, pasi ato para mund t’i viheshin në dispozicion të ekipit për të blerë ndonjë lojtar”, – përfundon trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, i cili këmbëngul kështu për variantin e Ulqinit.