ASNN – Momenti fatal i minutës së 36-të të ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu, të luajtur të dielën e kaluar për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, kur në dyluftim e sipër ajror Marku dhe Souza mbeten të dëmtuar rëndë ka bërë që futbollistët në fjalë të qëndrojnë në një pushim absolut për dy ditë me radhë.
Falë një përmirësimi të gjendjes së tij, Marku është parë të kryejë një seancë individuale me një minutazh të shkurtër vrapimi pasditen e së martës. Ndërkohë që të mërkurën, gjithnjë nën vëzhgimin e stafit mjekësor, përmirësimi i tij ka qenë më i dukshëm duke konsumuar një seancë të plotë.
Por sërishmi me vrapime rreth fushës i shoqëruar me kolegun e tij të mesfushës Ambroz Kapaklia, edhe ky me një shqetësim muskulor. Nga sa bën të ditur stafi mjekësor i Vllaznisë, nisur nga treguesit gjithnjë e në rritje të parametrave përmirësues, Marku pritet që sot të bashkohet me grupin e parë duke bërë testimet e para në lidhje me mundësinë e aktivizimit në ndeshjen e fundjavës me Skënderbeun, takim që do të luhet të shtunën në orën 14:00 në “Reshit Rusi”.