AlbanianSport.com 12.02.2016 15:25
ASNN – Të gjitha ndeshjet e kësaj jave të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të luhen të shtunën. Duke folur në prag të sfidës me Vllazninë, edhe kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha kërkon fitoren ndaj Vllaznisë, edhe pse për të kuqtë, skuadra shkodrane ka qenë gjithnjë “macja e zezë”.
Për këtë arsye, gardiani i portës së të kuqve kërkon mobilizim nga skuadra për të marrë tri pikët ndaj shkodranëve. Vllaznia dhe Partizani do të luajnë të shtunën, në takimin që do të zhvillohet duke nisur nga ora 13:00, në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Ndeshja e vlefshme për javën e 21-të të Kategorisë Superiore i gjen këto ekipe me shumë emër me objektiva të ndryshëm sezonalë, por me një qëllim të njëjtë për këtë sfidë, fitoren. “Duhet të minimizojmë gabimet, që të vazhdojmë drejt rrugës tonë”, – ka deklaruar kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha.
“Përndryshe do ta kemi shumë të vështirë, pasi kampionati bëhet akoma më i fortë”, – ka shtuar ai gjatë konferencës së sotme për shtyp. Ndërsa duke folur në Shkodër, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka theksuar: “Është një ekip që meriton respekt, pasi ka lojtarë cilësorë, por nuk do të thotë se nuk mund të mposhtet.”
“Ne mundëm 5 herë kampionët e Shqipërisë, pse mos ta bëjmë edhe ndaj këtij kundërshtari”, – ka shtuar ai. Ndeshjet e javës së 21-të të Kategorisë Superiore do të luhen të gjitha të shtunën. Renditja kryesohet nga Skënderbeu që do të luajë me vendin e fundit Tërbunin.
Ndëshja Terbuni-Skënderbeu do të luhet në “Qemal Stafa”, pasi fusha e stadiumit të Pukës është e mbuluar nga bora. Klubet ranë dakord që sfida të zhvillohet në Tiranë. Ndërsa ndeshja Tirana-Bylis luhet të shtunën në orën 13.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.