Pjesë e miqësores së djeshme Vllaznia-Ada ishte edhe vlonjati Dejvi Bregu. I pritur me shumë interes nga opinioni sportive shkodran, sidomos me komentet inkurajuese në rrjetet sociale, Bregu luajti për 45 minuta në formacionin e Vllaznisë.
Ai është pozicionuar në krahun e majtë të mesfushës, por edhe të sulmit, duke bërë përpjekjet e duhura për një paraqitje sa më të mirë përpara publikut të shumtë shkodran, që po ndiqte ndeshjen nga afër.
Në mbyllje të pjesës së parë, vlonjati është zhvendosur nga formacioni, duke vijuar të kryejë vrapime përreth fushës në përbërje të një grupi futbollistësh titullarë të Vllaznisë. Në mbyllje të krejt ndeshjes, ai është parë të diskutojë kokë më kokë me trajnerin Cungu, si dhe drejtuesit e klubit të futbollit Vllaznia.
Ndërkohë që pas pak, në një informacion zyrtar të dhënë nga drejtuesit e klubit, u bë e ditur për mosarritjen e akordit midis tyre. Që do të thotë se marrëveshja nuk është konkretizuar duke e lënë të lirë vlonjatin për t’u sistemuar në ndonjë skuadër tjetër.