Mungesën e ndeshjes zyrtare të kampionatit, ndërsa Vllaznia duhet të priste në Shkodër Skënderbeun në javën e parë të këtij sezoni, shkodranët do ta zëvendësojnë me një test brenda familjes. Fillimisht u diskutua që përballë Vllaznisë së Zmijanit do të ishte një nga skuadrat e Kategorisë së Parë.
Por duke qenë se pjesa më e madhe e tyre është e zhvendosur në pika të ndryshme turistike për fazë përgatitore larg Shkodrës, stafi ka vendosur që ndeshja të zhvillohet brenda familjes. Një përvojë që ka dhënë rezultat edhe përpara se skuadra të nisej në Slloveni për fazën përgatitore, ndërsa u luajt mes dy formacioneve A dhe B.
Kështu do të ndodhë edhe paraditen e së shtunës dhe pikërisht në orën 11:00. E ndeshja është përcaktuar të luhet në fushën sportive të Shtojit. Më së shumti kjo ndeshje vlen kryesisht për futbollistët e ardhur për provë, ku padyshim në fokus janë dy futbollistët e huaj.
Mohamed K’duh dhe Muhamed (Momo) Aburub, i pari nga Libia dhe i dyti nga Gana, të cilët janë në pritje të verdiktit të trajnerit Luan Zmijani. Po kështu, në pritje është edhe shqiptaro-amerikani Lindon Dedvukaj, i rritur në futbollin e SHBA-së dhe që sezonin e kaluar ka luajtur në kampionatin maqedonas.
E së bashku me të është duke u stërvitur tek shkodranët e që po pret verdiktin e Zmijanit dhe shqiptari Kreshnik Lushtaku.