AlbanianSport.com 19.04.2015 19:35
ASNN – Vllaznia ka fituar mbrëmë përballë Kamzës, ku nga fillimi e deri në fund e kanë udhëhequr këtë sfidë. Ardhja e trajnerit të ri, malazezi Darko Vujaçiç ia ka ndryshuar disi fytyrën Vllaznisë. Falë edhe eksperiencës së Bledar Gjeçaj në stol, kjo dyshe prodhoi një fitore spektakolare të Vllaznisë. Shkodranët ishin të papërmbajtshëm në lojën e tyre.
Ajo që i ka munguar në ndeshjet e tjera me Kamzën ekipit të Vllaznisë, egoja dhe grinta sidomos, në këtë përballje ishin më shumë se asnjëherë. Basketbollistët e Vllaznisë luajtën me shumë vrull, ndërsa Kamza Basket u step disi që në fillimin e lojës, stepje që e ndoqi deri në fund të lojës. Megjithatë, vlen të theksohet se ky triumf u shoqërua edhe me tension, por edhe disa nuanca absurditeti.
Në fund të ndeshjes, gjatë daljes nga korridoret e dhomave të zhveshjeve, Daliu i Kamzës, ish-basketbollist i Vllaznisë krijon një incident me Ndojën e më pas edhe me disa tifozë. Gjithçka mbyllet shpejt dhe situata normalizohet. Përtej kësaj, ishte e pakuptueshme edhe ardhja me katapultë e një trajneri malazez në metrat e fundit të garës, siç ishte Vujaçiç.
Ky zëvendësim duket sikur e hedh poshtë punën e bërë gjatë mëse 95% të sezonit nga trajneri i mirënjohur, Bledar Gjeçaj, i cili detyrohet të pranojë detyrën e zëvendëstrajnerit. Një fakt i tillë nuk ka kaluar pa u vënë re dhe basketbollisti i Kamza Basket, Erkand Karaj, e ka afishuar formacionin e Vllaznisë në profilin e tij në rrjetin social, “Facebook”, duke vënë në dukje rolin e Gjeçajt si zëvendëstrajner.
“Ku është krenaria juaj… Është për të ardhur keq!”, – shkruan basketbollisti i mirënjohur i Kombëtares së koshit të meshkujve në shënimin që shoqëronte foton, dhe që është komentuar edhe nga basketbollistë të tjerë të spikatur kuqezi, të tillë si Afrim Bilali, Endri Hysenagolli, Redi Vogli, etj. Sidoqoftë, tashmë Vllaznia pret finalen ndaj Tiranës, duke synuar titullin, ashtu si sezonin e kaluar.