AlbanianSport.com 30.01.2016 16:15
ASNN – Kryesuesja e renditjes së Kategorisë Superiore, Skënderbeu, është mundur minimalisht në fushë të huaj nga Vllaznia vendase, ndërsa Tirana ka fituar 3-1 në Pukë ndaj Tërbunit. Takimi i zhvilluar në Shkodër dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u vendos në favor të vendasve me një gol të shënuar në pjesën e dytë.
Me takimin midis Vllaznisë dhe Skënderbeut, që u luajt në Shkodër, ka ngritur siparin java e 19-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kjo javë është edhe java e parë e fazës së 3-të dhe shënon nisjen e gjysmës së dytë të këtij sezoni të futbollit shqiptar.
Takimi midis kuqebleve dhe korçarëve, që u luajt pasdreke në Fushën Sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i ka mbyllur me rrjeta të paprekura 45 minutat e para, ndërsa fati i saj është vendosur në minutën e 65-të, kur i riu Arlind Kalaja ka finalizuar me sukses një aksion të shkodranëve.
Vllaznia mposht kështu Skënderbeun 1-0, ndërsa në takimin tjetër, të luajtur po në të njëjtë kohë, Tërbuni është mundur 1-3 në Pukë nga Tirana. Dy takimet e tjera të javës së 19-të luhen të dielën dhe, duke nisur nga ora 14:00, Kukësi pret në fushën e vet Bylisin. Ndërsa duke nisur nga ora 17:00, Teuta përballet në Vlorë me Flamurtarin vendas.