Edhe pse jemi në mbyllje të muajit prill për kuqeblutë, që nga janari i këtij viti, nuk ka pasur rroga të kaluara në numrat e tyre të llogarisë. Një vonese që nga ana e drejtuesve të klubit Vllaznia është argumentuar me faktin e procedurave të kalimit të fondit përkatës nga Bashkia Shkodër në arkën e KF “Vllaznia”.
Një fond ky që nuk është lëvruar për shkak të vonesës së miratimit të buxhetit për vitin 2016 nga ana e Këshillit Bashkiak. Por, edhe pse vonë, një gjë e tillë ka marrë fund pikërisht dje kur në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak me shumicë votash buxheti fjalë, pjesë e të cilit është edhe ai për sportin, ka marrë miratimin e këshilltarëve shkodranë.
Në këtë mënyrë, duke shpresuar në zyrtarizimin në një kohë sa më të shpejtë të këtij buxheti në institucionin e Prefekturës, që për hir të së vërtetës vitin e kaluar pati jo pak probleme burokratike, brenda pak ditësh pritet që në llogaritë bankare të kuqebluve të kalojnë shumat përkatëse të katër muajve të fundit janar-shkurt-mars-prill.