ASNN – Në aspektin e merkatos dita e djeshme s’ka pasur asgjë të re në skuadër. Krahas kontingjentit zyrtar, që Vllaznia ka pasur në dispozicion edhe gjatë pjesës së parë të sezonit, me skuadrën vazhdojnë të stërviten dy lojtarët e rinj. Për Arsen Hajdarin nuk mund të thuhet krejt i ri, sepse përvoja e aktivizimit të tij të sukesshëm me Vllazninë ka vite që ka qenë prezent.
E tashmë, pas një shtegtimi dyvjeçar të tij brenda dhe jashtë vendit, ka preferuar t’i ribashkohet sërishmi skuadrës mëmë. Adriano Qosaj realisht është një futbollist i ri, pasi pak ditë më parë ka mbushur 19 vjeç. I lindur në Shkodër, që në moshë fare të re ai ka emigruar me familjen e tij në Itali, ku falë të dhënave cilësore që disponon është stërvitur dhe aktivizuar me disa skuadra amatore.
E tashmë kërkon të provojë fatin e tij edhe tek Vllaznia, një ëndërr që e ka pasur që në fëmijëri. Nëse për Hajdarin, Cungu u shprehë një ditë më parë pozitivisht duke lënë të kuptohet se firmosja e tij me Vllazninë është çështje orësh, për të riun Qosaj nuk duket akoma se ka një gjë të tillë. Kjo është parë edhe nga ajo se dje, në ndryshim nga Hajdari që i dha vetëm pak minuta loje, për shkodranin e ardhur nga Italia, Adriano Qosaj, minutazhi ishte krejtësisht i plotë duke e vendosur në majë të sulmit. Deri më tani nuk ka asgjë konkrete për asnjërin prej tyre, por që gjithsesi deri në fundjavë, kur skuadra parashikohet të niset drejt Ulqinit, pritet të ketë një qëndrim zyrtar të stafit për të ardhmen e këtyre futbollistëve.