AlbanianSport.com 25/12/2018 15:20
ASNN – Vllaznia ka dominur grupin A të Kategorisë së Parë, duke mbajtur vendin e parë me 35 pikë në 14 ndeshjet e para të sezonit, e shkëputur me 7 pikë nga vendi i dytë që mbahet prej Erzenit të Shijakut dhe plot 11 pikë më shumë se Dinamo e vendit të tretë. Ecuria e Vllaznisë në këtë pjesë të parë të sezonit në këtë kategori ka qenë mjaft e mirë. Janë statistikat bindëse që i shkojnë për shtat një emri të madh të futbollit shqiptar dhe “mëkat” që skuadra shkodrane militon në kategorinë inferiore.
Edhe pse pritej dominimi i skuadrës shkodrane, janë statistikat ato që e bëjnë këtë ekip të jetë favorite kryesor për t’u ngjitur në elitë dhe pas mbylljes së gjysmës së garës mund të thuhet hapur se klubi kuqeblu po mendon që tani për blerjet e sezonit të ardhshëm, pra jo vetëm të rikthehet në Superiore, por të ketë një grup konkurrues. Edhe drejtuesit e klubit kuqeblu, përfshi dhe trajnerin Hasan Lika, i kanë mëshuar këtij “skenari”.
Në 14 javë garë të luajtura në Kategorinë e Parë, shkodranët kanë siguruar 35 pikë, që i takon 2.5 pikë për ndeshje. Një ecuri e tillë e kuqebluve është shumë më e mirë se sa ajo e Bylisit në grupin B, pasi ballshiotët në vend të parë në këtë grup kanë grumbulluar 30 pikë, pra afërsisht 2.1 pikë për ndeshje. Për më tepër, në Jug, Bylisi ka shqetësimin e Besës dhe Egnatias që kanë respektivisht 26 dhe 25 pikë. Akoma më bindëse bëhet ecuria e Vllaznisë kur e krahason me Partizanin në Superiore.
Të kuqtë nuk e kanë këtë ecuri në elitë, sepse në 18 javë garë të luajtura deri tani kanë grumbulluar 37 pikë, pra vetëm 2.06 pikë për ndeshje. Natyrisht, një krahasim i tillë nuk është i vlefshëm sepse bëhet fjalë për kategori të ndryshme. Por e parë për peshën e secilës skuadër në kategorinë e vet, Vllaznia dukshëm është më mirë dhe kjo është premtuese për shkodranët. 11 fitore, 2 barazime dhe vetëm 1 humbje janë dëshmi që Vllaznia nuk ka fanellë për ligën inferiore.
Përkundrazi, ky klub dhe kjo skuadër duhet të jenë në elitë, aty ku e meritojnë edhe tifozët e shumtë të qytetit të saj. Mbetet të shihet nëse shkodranët do të dinë të luajnë si duhet në treg, por nga dështimi i vjetshëm të paktën shpresohet që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës. Sa i takon kthimit në elitë, për Vllazninë kjo duket të jetë thjesht çështje kohe.