AlbanianSport.com 05/03/2024 11:45
ASNN – Portieri i ri, Mëhidri, kërkon mbështetjen e tifozëve ndaj Erzenit. Takimi që do të mbyllë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë në futboll është ai që do të luhet të mërkurën në mbrëmje në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, midis Vllaznisë dhe Erzenit. Shijakasit e kanë fituar takimin e parë, 2-1, por portieri i ri kuqeblu, Jurgen Mëhidri, beson tek përmbysja.
– Mehidri, luani një sfidë të rëndësishme, ku kërkohet kualifikimi në gjysmëfinale…
– Një sfidë shumë e rëndësishme. Ne do të japim maksimumin që të kthejmë rezultatin e takimit të parë me Erzenin. Besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv dhe të kualifikohemi për raundin tjetër.
– Duhen dy gola diferencë, a do të jetë në gjendje Vllaznia ta arrijë një gjë të tillë?
– Mendoj se në të gjithë aspektet jemi shumë mirë dhe do të arrijmë që ta kthejmë rezultatin.
– Në kampionat situata duket pozitive, e prisnit një ecuri të tillë të ekipit?
– Situata është shumë pozitive. Shpresoj që të vijojmë kështu. Kemi një qetësi në ekip dhe shpresoj që të bëjmë gjithçka për më të mirën e mundshme.
– Po e shfrytëzoni në mënyrën më të mirë të mundshme momentin tuaj, keni luajtur 7 ndeshje si titullar…
– Jam shumë i lumtur këtu. Po bëj më të mirën për Vllazninë. Mundësitë që do të më jepen, do t’i shfrytëzoj në maksimum.
– Sa po e shijoni këtë përvojë me kuqeblutë?
– Normalisht që po e shijoj dhe ndihem shumë mirë te Vllaznia. Besoj se do të bëjë më të mirën time këtu.
– Kundër Tiranës pamë shumë tifozë në stadium, prisni një mbështetje të njëjtë edhe kundër Erzenit?
– Unë shpresoj që të jenë sërish sa më shumë tifozë. Ata janë mbështetja jonë më e madhe.