Infermieria e Vllaznisë thuajse është boshatisur, ndërsa në seancën e djeshme stërvitore është vënë re se Bicaj e Pepa u janë kthyer përgatitjeve me skuadrën. Këto dy lojtarë i kanë munguar skuadrës në javët e fundit të kampionatit. Pas terapive intensive përmirësimi i tyre erdhi në shkallë graduale.
Gjatë javës së kaluar ato kishin një program individual duke provuar vetëm vrapime përreth fushës së lojës, kurse i janë bashkuar grupit të skuadrës. Dhe ky është një lajm i mirë për stafin teknik duke iu shtuar alternativat për repartin e prapavijës, si dhe atë të sulmit, pozicion që Bicaj dhe Pepa luajnë në formacionin kuqeblu.
Por ndërkohë që dyshja në fjalë vihet në dispozicion të trajnerit Cungu, një gjë të tillë nuk e ka pasur të mundur mbrojtësi Antonio Marku. Dëmtimi i tij, të premten e kaluar, gjatë procesit stërvitor e privoi në aktivizimin e tij për sfidën shumë të rëndësishme në fushë të huaj me Kukësin të dielën e kaluar.
Terapia e tij vazhdon të jetë e pranishme, por nga sa bëhet e ditur është akoma larg një përmirësimi të mundshëm që ta rikthejë atë në gjirin e skuadrës. Realisht, mëngjërashi shkodran, është parë dje në mjediset e “Reshit Rusit”, por vetëm duke qëndruar në pistë dhe duke i ndjekur kolegët në stërvitje në distancë.