AlbanianSport.com 27/01/2021 21:40
ASNN – Milosh Kaleziç nënshkruan për një vit, Dunga, mesazh falënderimi për kuqeblutë. Vazhdon të kryesojë e shkëputur renditjen në kuotën e 36 pikëve, 9 më tepër sesa dy ndjekëset më të afërta, Partizani dhe Teuta, por Vllaznia nuk ndalet në merkato. Dhe, pas largimit të me Klodian Gjinos, kryesuesit e Superiores kanë gjetur një mesfushor në Malin e Zi.
Bëhet fjalë për futbollistin Milosh Kaleziç, i cili së fundmi ishte pjesë e OFK Titograd në kampionatin malazez, ku luajtur 17 ndeshje dhe shënoi një gol në gjysmën e parë të sezonit. Gjatë karrierës së tij, 27-vjeçari është aktivizuar edhe me Buduçnostin, Mogrenin, Grbaljin, Samorin, Iskran, Slloboda e Tuzlës dhe Petrovaçin. Klubi ka informuar se ai ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me mundësi zgjatjeje edhe për një vit tjetër.
Ndërkaq, teksa një futbollist vjen, një tjetër është larguar dhe është pikërisht sulmuesi Ismail Dunga, ka mbyllur aventurën me kryesuesit e Vllaznisë, për të kaluar në kampionatin japonez, tek klubi japonez Sagan Tosu. Pas shumë negociatash, Vllaznia dhe klubi japonez kanë gjetur gjuhën e përbashkët, teksa mësohet se problemi më i madh ka qenë akordi për transferimin e shumës së rënë dakord për këtë shitje.
Vllaznia pret të arkëtojë rreth 100,000 dollarë nga transferimi i Dungës, ndërsa vetë lojtari, në një video të shkurtër të postuar në rrjetet sociale, ka falënderuar klubin dhe tifozerinë shkodrane, duke e cilësuar kohën e tij tek kuqeblutë si kulmin e qëndrimit të tij 3-vjeçar në Shqipëri.