AlbanianSport.com 09.02.2016 15:25
ASNN – Prishtina ka siguruar edhe një lojtar të ri për gjysmën pranverore të sezonit të Superligës së Kosovës në futboll. Klubi kryeqytetas ka transferuar sulmuesin Kreshnik Lushtaku. Drejtori i klubit kryeqytetas, Afrim Muçiqi, ka konfirmuar për të përditshmen e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, se lojtari ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me “Plisat”.
Së fundmi, Lushtaku ishte pjesë e Vllaznisë në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ndërsa më parë ka luajtur edhe për Trepçën ’89 dhe Drenicën. Ndërkohë, duke folur pas prezantimit, lojtari i ri i Prishtinës ka deklaruar se me skuadrën e re shpreson të ngjitet lart në rendite, madje edhe të futet në garën për titull, edhe pse aktualisht është në vendin e 10-të.
Pas gjysmës së parë të sezonit, Prishtina ka 18 pikë, 13 më pak se Ferronikeli kryesues. Megjithatë, duke folur për faqen zyrtare të klubit, Lushtaku ka thënë se nuk e ka pasur të vështirë të zgjedhë për të përfaqësuar klubin nga kryeqyteti. “Për Prishtinën vendosa lehtë, sepse është klubi më i mirë dhe më i madh në Kosovë”, – ka thënë 21-vjeçari që u transferua nga Vllaznia e Shkodrës.