AlbanianSport.com 11/01/2020 21:10
ASNN – Vllaznia e ka fituar me rezultatin 1-0 miqësoren e parë, atë të zhvilluar pasditen e sotme në Pogradec ndaj skuadrës vendase. Goli i Bardullës në pjesën e dytë me 11-metërsh ka mjaftuar që kuqeblutë ta fitojnë këtë miqësore. Trajneri Jonuz e ka nisur takimin duke patur Sherrin në portë ndërkohë që në mbrojtje nga minuta e parë kanë luajtur Gligorov, Shehi, Malota e Marku.
Në këtë miqësore ka patur një ndryshim teksa Gurishta është preferuar në mesfushë bashkë me Ramadanin dhe Krujën ndërkohë që treshja e sulmit ka qenë e përbërë nga Lika, Shtubina dhe sulmuesi maqedonas Hristov. Kuqeblutë kanë luajtur më mirë, kanë patur edhe raste shënimi por nuk kanë arritur dot t’I konkretizojnë. Rastin më të pastër e ka patur kapiteni Lika në minutën e 36-të por nuk e ka dërguar dot topin në rrjetë.
Kësisoj, pjesa e parë është mbyllur pa gola, 0-0. Në të dytën, stafi teknik i Vllaznisë ka aktivizuar të gjithë lojtarët e tjerë që ka patur në dispozicion. Njëri prej tyre, pikërisht mesfushori Bardulla ka shënuar në minutën e 70-të me një 11-metërsh që kanë fituar kuqeblutë. Pavarësisht përpjekjeve të dy ekipeve më pas, nuk ka patur gol tjetër dhe i gjithë takimi është mbyllur me fitoren 1-0 të Vllaznisë në këtë miqësore të parë të saj në këtë fazë përgatitore dimërore.
VLLAZNIA – POGRADECI 1-0
Shënues: Bardulla 70’ (11-m.)
Vllaznia: Sherri, Gurishta, Shehi, Malota, Gligorov, Ramadani, Kruja, Shtubina, Marku, Lika. Hristov. Trajner: M. Jonuz.
U aktivizuan: Laço, Adili, Krymi, Kojoçaru, Lekaj, Prendi, Repaj, Prendi, Zogaj, Bardulla.
Pogradeci: Terollari, Pura, Maxhari, Hysenllari, Hidri, Shyti, Jahaj, Shkullaku, Berberi, Lickollari, Topllari. Trajner: A. Abazaj
Gjyqtarë: Erald Demiri, Rinaldo Abazaj, Eristian Sallo