AlbanianSport.com 25/03/2019 20:50
ASNN – Largimi i Hasan Likës nga drejtimi i Vllaznisë pak ditë më parë, hapi garën në klubin shkodran për kreun e stolit kuqeblu. Në fillim nuk kishte shumë entuziazëm rreth kësaj çështjeje, por afrimi i ndeshjeve të radhës në Kategorinë e Parë nxiste veprime të shpejta. Dhe më në fund lëvizja ka ardhur e trajneri i përzgjedhur nuk është një emër i panjohur në Shkodër. Bëhet fjalë për Agim Canajn, trajnerin që do të pasojë Hasan Likën e larguar drejt SHBA-së.
Është vetë klubi shkodran që njofton për lëvizjen e bërë nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në internet, ku i mëshohet faktit se Canaj ka qenë dhe më parë trajner i skuadrës, e njeh mjedisin dhe është trajner me përvojë të gjatë në krye të shumë skuadrave. Marrëveshja është bërë fillimisht për periudhën deri në fund të sezonit, me mundësinë e zgjatjes së kontratës edhe për sezonin e ri. Më poshtë jepet e plotë komunikata e Vllaznisë për mediat.
Njoftimi i Vllaznisë!
“KF Vllaznia bën të ditur se në vendin e Hasan Likës, emëron në postin e trajnerit të ekipit të parë të Vllaznisë, z. Agim Canaj. Përvoja e tij e madhe në futbollin shqiptar, fakti që e njeh mjaft mirë Vllazninë dhe futbollin shkodran ngaqë e ka drejtuar edhe më përpara atë dhe po ashtu edhe dëshira e shprehur për t’u rikthyer sërish në krye të ekipit tonë, janë konsideruar elementë shumë të favorshëm për ta emëruar z. Canaj në këtë detyrë duke besuar se ai dhe skuadra do ta çojnë deri në fund punën e nisur nga trajneri i mëparshëm, për arritjen e objektivit që ajo ka. KF Vllaznia bën të ditur se marrëveshja me Agim Canajn do të jetë fillimisht deri në fund të këtij sezoni, por më pas, bashkëpunimi mund të vazhdojë edhe për sezonin e ardhshëm. KF Vllaznia i uron mirëseardhjen z. Canaj duke shpresuar që së bashku të bëjmë gjëra të mira për skuadrën dhe klubin tonë.”