ASNN – Plot 90 minuta ka zgjatur analiza e ndeshjes Vllaznia-Laçi, ndeshje kjo shumë e diskutuar dhe e lakuar në qarqet sportive për vetë paraqitjen zhgënjyese që prezantoi skuadra kuqeblu. E zhvilluar përpara fillimit të stërvitjes së djeshme në dhomat e zhveshjes të stadiumit “Reshit Rusi” ajo ka pasur në qendër të vëmendjes jo vetëm humbjen e pësuar, por dhe lojën e dobët të skuadrës.
E të pranishëm në këtë analizë kanë qenë administratori Astrit Gjyrezi dhe drejtori sportiv Eugent Zeka. Ndryshe nga sa komentohej në opinion për ndëshkime dhe gjoba në adresë të skuadrës kuqeblu, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ka qenë vetë administratori Gjyrezi, që gjatë fjalës së tij e ka bërë të ditur këtë vendim të marrë nga ana e klubit.
Ndërkohë që nga ana tjetër ai i ka kërkuar skuadrës, madje duke e vënë si kusht kryesor fitoren e ndeshjes së radhës me Teutën e Durrësit. Njëkohësisht, ai në emër të klubit, i ka dhënë mbështetjen maksimale trajnerit Cungu për të vazhduar punën dhe projektin e përbashkët që është nisur. Bëhet fjalë për të ndërtuar atë Vllazni që dëshirojnë të gjithë shkodranët.
Nga sa bëhet e ditur zyrtarisht, nga burimet brenda klubit të Vllaznisë, takimi në fjalë është shoqëruar me kritika dhe autokritika nga drejtuesit dhe vetë futbollistët kuqeblu, duke e pranuar dështimin në fjalë si një rast të papritur për ta. Ajo që ka ndikuar, sipas tyre në pësimin e kësaj humbje, ka qenë pësimi i golit të pare i ardhur në mënyrë të papritur.
E në vend që të sillte reagimin e duhur të skuadrës nuk ka ndodhur një gjë e tillë, madje duke u pasuar edhe me një gol tjetër të dytë vdekjeprurës nga laçjanët, që largohen me tre pikë nga Shkodra. Pasi kanë pranuar gjithçka, që ka çuar në dështimin e kësaj ndeshje, të gjithë pjesëtarët e Vllaznisë kanë qenë të mendimit se një gjë e tillë nuk duhet përsëritur më.