ASNN – Ka pasur 10 ditë në dispozicion për të përgatitur skuadrën që ai drejton për ndeshjen e sotme ndaj Luftëtarit, e cila, sipas vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, do të luhet në Peqin.
Një periudhë kjo ndoshta e mjaftueshme për kolauduar skuadrën pas atij shoku psikologjik që kuqeblutë morën në javën e 5-të teksa u mundën në fushë të huaj nga Skënderbeu.
Problem për trajnerin Cungu kanë qenë jo vetëm dy mungesat e titullarëve, Krymi dhe Marku, njëri për kartonë dhe tjetri i dëmtuar, por nga ana tjetër edhe mungesa e dyshes Gurishta-Vecaj, të angazhuar prej ditësh në ekipin kombëtar të Nën-21-vjeçarëve.
Duke i shtuar edhe rezervat që ka pasur ndaj ndonjë futbollisti për rendimentin jo të duhur në ndeshjet paraardhëse, të gjitha bashkë kanë bërë që trajneri Cungu të vijojë të bëjë thuajse çdo ditë eksperimente nga më të ndryshmet në lidhje me përcaktimin e formacionit të parë.