Pjesë e bashkëbisedimit telefonik nga Amerika e largët me kryebashkiaken Ademi ishte edhe tifozëria. “Kisha kohë pa i parë tifozët të lumturuar dhe euforik. Tek i ndiqja direkt që festonin për golin dhe fitoren e arritur ndaj Skënderbeut, pata një ndjesi të veçantë, – ka pohuar ajo. – Jam shumë e kënaqur që me punën tonë këmbëngulëse arritëm tek ndryshmi i situatës, filluam të marrim rezultatet e para pozitive. Hap pas hapi do të ecim përpara. Sigurisht me mbështetje dhe punë besojmë se do t’ia dalim për të siguruar mbijetesën në Kategorinë Superiore e më pas të ecim edhe më tej.”
Në fakt, ka kohë që, krahas punëve dhe halleve jo të pakta përsa i përket jetës dhe aktivitetit të komunitetit të qytetit verior, Vllaznia për të ka qenë një tjetër obligim që kërkonte vëmendjen e duhur. Jo vetëm si kryetare Bashkie dhe presidente e Vllaznisë, por edhe si bija e një sportisti me shumë emër, ish-volejbollistit të famshëm Vehbi Ademi, pa lënë mënjanë që edhe vetë personalisht ka pasur një përvojë pozitive në ekipet e lojërave me dorë të Vllaznisë në kohën e gjimnazit, përgjegjësia bëhej edhe më e madhe për të bërë më të mirën e saj edhe në fushën e sportit.
Ashtu siç pati premtuar në marrje të detyrës së saj ndryshimet tek Vllaznia nisen të vinin që nga periudha e fundvitit, fillimisht me formimin dhe miratimit të Bordit të ri mbikëqyrës Vllaznia me një emër të nderuar dhe me përvojë administrative si Shpëtim Quku në krye të tij. Më pas me emërimin e administratorit të ri, Astrit Gjyrezi, edhe ky po aq i njohur dhe me sukses në fushën e administrimit të biznesit, për të vijuar së fundmi që një farë mënyre konsiderohet si “qershia mbi tortë” në emërimin e stafit të ri teknik me në krye trajnerin e suksesshëm, Armando Cungu.
Por, jo vetem kaq, sepse paralelisht me operacionet në prizmin organizativ, kryebashkiakja-presidente Voltana Ademi, duke monitoruar me shumë kujdes situatën financiare, jo vetëm që arriti të shlyejë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj futbollistëve aktualë të ekipit, por likuidoi në kohën e duhur edhe detyrimet dhe borxhet e prapambetura me futbollistët e huaj duke shpëtuar Vllazninë nga penaliteti i ndëshkimit të pikëve nga FIFA, siç e pësuan ekipet e tjera. Ndërkohë që pjesë e kësaj përkujdesje ishin edhe kushtet optimale të krijuara për fazën përgatitore dimërore zhvilluar në kampingun ulqinak të Malit të Zi, si dhe pjesëmarrja në merkato me ato futbollistë që kishte nevoja skuadra.