ASNN – Për ekipin shkodran ka pasur dhe një lajm të mirë, sepse kryebashkiakja Voltana Ademi tashmë e ka zhbllokuar aspektin financiar dhe është çelur fondi, i cili do të bëjë të mundur periudhën përgatitore të Vllaznisë në tokën malazeze. Madje, nga sa bëhet e ditur, drejtuesit më të lartë të klubit dje kanë udhëtuar drejt Ulqinit.
Kjo me qëllim për të parë nga afër vendin ku do të akomodohet skuadra kuqeblu për një periudhë rreth dhjetëditore. Krahas kushteve cilësore të akomodimit në hotel mësohet se në dispozicion të skuadrës do të jenë edhe salla e forcës dhe terrenet sportive cilësore me bar natyral.
Përpos këtyre, tashmë me bërjen realitet të zhvendosjes së skuadrës në kampingun ulqinak, automatikisht futen në program edhe ndeshjet miqësore të planifikuara nga ana e trajnerit Armando Cungu.