Adriatik Balla 18.06.2015 15:25
Klubi i Vllaznisë ka nevojë për më e pakta 1 miliard lekë, por edhe 100 milionë janë një shumë e konsiderueshme që shërben si bazë për të bërë punë më të mira në të ardhmen. Kështu, Vllaznia merr një dhuratë prej 100 milion lekësh të vjetra nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës.
Ashtu siç ishte bërë publike edhe më parë, institucioni që drejton klubin Vllaznia ka bërë një mbledhje të fundit duke rishpërndarë fondet e papërdorura. Tashmë zyrtarisht në arkat e klubit shkodran kanë kaluar jo pak por 100 milion lekë të vjetra, të cilat pritet të përdoren për fazën përgatitore dhe investimin në infrastrukturë.
Kjo shumë edhe pse nuk është shumë e lartë, pritet të shërbejë si oksigjen për klubin në një periudhë ku situata pas zgjedhore do të shoqërohet me ngërçin që krijon zgjedhja e Këshillit të ri Bashkiak. Burime brenda klubit kuqeblu bëjnë të ditur se 75% e kësaj shume do të përdoren për skuadrën, në veçanti për fazën përgatitore që pritet të zhvillohet në Mal të Zi.
Vllaznia pritet që në fund të muajit të kalojë një periudhë dy javore në shtetin fqinj, aty ku në përgjithësi ka zhvilluar fazat përgatitore të dimrit dhe të verës. Ndërkohë që 25% e kësaj shumë që korrespondojnë me 25 milionë lekë të vjetra, do të investohen në kompleksin sportiv “Reshit Rusi”, për të bërë të mundur që Vllaznia të luajë aty ndeshjet e këtij sezoni deri në momentin që stadiumi “Loro Boriçi” të përurohet.
Drejtuesit e klubit kanë marrë direktivat nga FSHF, e cila ka lënë shënim detyrat që duhen përmbushur në mënyrë që ky kompleks të licencohet për ndeshjet e kampionatit të ardhshëm.