Më shumë se kurrë këtë javë Vllaznia do të kërkojë të sulmojë sa më shumë për të kërkuar golin dhe fitoren e krejt ndeshjes përballë një skuadre që duhet patjetër jo vetëm ta mundi, por edhe ta stopojë për të mos iu afruar më shumë në tabelë.
Në të tilla kushte, për vetë karakteristikat që disponon si një lojtar shumë luftarak, energjik, i shpejtë në veprime dhe mbi të gjitha fanatik në zbatimin e detyrave të dhëna nga trajneri, emri më i lakuar gjatë këtyre dy-tre ditëve si alternativa më e mundshme për të luajtur në vendin e lënë bosh nga Pjeshka ka qenë ai i Ambroz Kapaklisë.
Në të tilla kushte ideja e Cungut për një lëvizje të tillë ka marrë në një farë mënyre rrugë ditën e djeshme kur gjatë minutazhit të lojës mes dy formacioneve, të organizuar si zakonisht në pjesën mbyllëse të seancës, e ka vendosur Kapaklinë në linjën e djathtë të repartit të mbrojtjes.
Deri të dielën ka kohë të mjaftueshme për të gjykuar edhe për ndonjë alternativë tjetër të këtij pozicioni, i vetmi që është më i zbuluari për momentin, por bazuar edhe nga informacionet që dalin nga brenda skuadrës zgjedhja e djeshme e Cungut mendohet të jetë më e mira e mundshme, zyrtarizimi i së cilës do të shikohet saktësisht pasditen e së dielës kur skuadrat do të dalin në fushën e lojës.