ASNN – Miqësorja e djeshme ka pasur edhe një lajm jo të mirë. Bëhet fjalë për mesfushorin, Ambroz Kapaklia, futbollistin e ri dhe të cilësuar në grupin e perspektives të përcaktuar nga vete trajneri Armando Cungu. Në pjesën e dytë të kësaj ndeshjeje, Kapaklia pësoi një dëmtim duke u larguar nga fusha e lojës.
Shansi i tij i keq është se pikërisht nga një dëmtim i tillë, në gjurin e djathtë në ndeshjen e fundit të kampionatit të kaluar, u detyrua t’i nënshtrohet një operacioni duke qëndruar për disa muaj larg fushës së futbollit. Stafi mjekësor, me në krye mjekun sportiv Zyhdi Çoba, është jo pak i shqetësuar për ndonjë ridëmtim në të njëjtin pozicion si ai i mëparshmi.
E nëse do të rezultojë i tillë përbën problem për vazhdimsinë e tij. Megjithatë, diten e premte, nën shoqërinë e stafit mjeksor, Kapaklia do t’i nënshtrohet kontrolleve përkatëse pranë mjekëve specialistë për të përcaktuar qartazi gjendjen dhe peshën e dëmtimit të tij.