AlbanianSport.com 19/02/2021 21:40
ASNN – Mesfushori 24-vjeçar i shkodranëve flet para ndeshjes me Skënderbeun. Fjoart Jonuzi është një lojtar që ka spikatur me lojën e tij tek Vllaznia dhe futbollisti nuk e fsheh që ndjehet si në shtëpi. “Ndjehem mirë këtu dhe më pëlqen edhe atmosfera, të cilën e ndjejmë edhe kur lëvizim nëpër qytet, me njerëzit që na përgëzojnë dhe na nxitin të vazhdojmë ecurinë e mirë të këtij sezoni”, – ka thënë ai.
Ndonëse ka ardhur në fund të merkatos, mesfushori kukësian është përshtatur shumë shpejt tek kuqeblutë. “Sigurisht që u desh kohë, por besoj që tani kam gjetur vendin tim dhe po jap kontribut maksimal, – ka thënë Fjoarti. – Deri tani jam i kënaqur sepse e kam ndihmuar ekipin dhe kam pasur përformanca të mira, mund të them vetëm se më ka munguar goli dhe shpresoj që të zhbllokohem në javët në vijim.”
Për 24-vjeçarin, fitorja me Apoloninë ishte një çlirim për Vllazninë. Skënderbeu është kundërshtari i radhës dhe futbollisti beson tek kapaciteti i skuadrës për të kapërcyer mungesat. “Mungesat janë të rëndësishme normalisht kur ke kaq shumë kohë që luan me disa lojtarë, por sido lojtarët i kemi dhe ato do i zëvendësojnë, – ka thënë ai. – Stafi u ka dhënë besim të plotë dhe sa herë që i është dhënë mundësia, ato e kanë shfrytëzuar dhe mendoj se nuk do të jetë shumë problem.
“Normalisht siç e thatë dhe ju është shumë ndeshje e vështirë sepse Korça është në vend të fundit dhe i duhen pikët, – ka vijuar mesfushori. – Kanë treguar edhe përformanca të mira edhe pse kanë pësuar humbje. Unë mendoj se duhet ta vlerësojmë maksimalisht sepse kanë një ekip me çuna të rinj por që vrapojnë dhe luftojnë shumë dhe duhet t’i vlerësojmë.
“Jo vetëm për skuadrën tonë, por për të gjitha skuadrat sepse duhen kushte optimale për të luajtur futboll, por do të shikojmë si është terreni, – ka theksuar ai. Në qoftë se është me borë atëherë duhet të ndryshojmë ndoshta edhe taktikë sepse është e vështirë të luhet dhe nuk do të ishte e përshtatshme për ne.” Për Jonuzin, fati i sezonit është në dorë të vetë Vllaznisë.
“Normalisht që duhet ta ruajmë këtë epërsi, – ka këmbëngulur futbollisti kuqeblu. – Do të jetë e vështirë sepse janë shumë ekipe që luftojnë për titull “kampion”, por normalisht ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe po i vlerësuam të gjitha, mendoj dhe kam besim tek ky grup se do ta ruajmë këtë distancë. Nuk do veçoja asnjë ekip që na ndjek, as Partizanin, as Laçin e as Teutën.”
“Por mund të thoja se këto ekipe janë ekipe që kanë afërsisht të njëjtat pikë dhe kanë lojtarë cilësorë kështuqë do të jetë një garë shumë e fortë deri në fund”, – ka vijuar Jonuzi. – Ajo që është e qartë tani është fati i këtij sezoni është në dorën tonë dhe varet nga ajo që do të bëjmë me.”
Në mbyllje, ai ka folur edhe për të ardhmen e tij, teksa ky është sezoni i tij parë me Vllazninë. “Kontrata më përfundon në fund të sezonit, – ka deklaruar ai. – Do të kemi kohë që të bisedojmë edhe me drejtuesit dhe do shikojmë si do të vijojmë deri në fund të kampionatit dhe të vendosim.”