AlbanianSport.com 07/01/2020 21:25
ASNN – Kuqeblutë e Vllaznisë kanë nisur të hënën përgatitjet në Shkodër, ndërkohë që në mesjavë do të zhvendosen në Ohër të Maqedonisë së Veriut për një faze të mirëfilltë përgatitore 12 ditore. Në seancën e parë stërvitore të këtij fillimviti janë konstatuar mungesa, kryesisht të futbollistëve të huaj, ndërkohë që mbrojtësi Malota është parë të jetë veshur civil, sepse, për arsye shëndetësore, e ka ndjekur seancën nën shoqërinë e stafit mjekësor.
Në prononcimin e tij të parë për mediat lokale, trajneri Mirsad Jonuz ka dhënë informacionet e duhura rreth situatës aktuale të skuadrës, largimeve të mundshme, si dhe prurjeve të reja. “Së pari, dua t’iu uroj Vitin e Ri të gjithë popullit të Shkodrës dhe besoj se këto 6 muajt e ardhshëm kanë për të qenë më të mira për Vllazninë, – ka thënë fillimisht trajneri kuqeblu. – Me mbarimin e pjesës së parë të sezonit, u kam dhënë programin e stërvitjes lojtarëve, të cilët kanë 10 ditë që stërviten me kolegët Osja dhe Lekiqi”.
“Dhe mund të them se situata është shumë e mirë, me përjashtim të Malotës, që ka një problem të vogël, por që do të kalojë shpejt, – ka vijuar ai. – Këto 3 ditë në Shkodër janë për të parë gjendjen e skuadrës dhe më pas do të zhvendosemi në Ohër. Disa lojtarë është normale që do të largohen nga Vllaznia dhe kjo do të ndodhë gjatë këtyre 3 ditëve dhe na nevojiten edhe 2-3 lojtarë të mirë. Me këto janë duke u marrë administratori i klubit dhe drejtori sportiv.”
I pyetur nga në lidhje me merkaton, dhe konkretisht për dyshen e sulmit Hebaj-Fili, Jonuz u përgjigj: “Kam vetëm pozicionet e lojtarëve që do të jenë në fushën e lojës, një mbrojtës qendre, një organizator, si dhe një apo dy sulmues. Por, më herët duhet ta pastrojmë ekipin, ku 6 lojtarë do të ikin nga grupi aktual. Ky është opinioni im dhe mendoj që është e nevojshme për ekipin. Ndërsa, sa i përket dyshes Hebaj-Fili, ata janë në listën e Vllaznisë në këtë merkato.”
“Por për ta konkretizuar këtë duhet akoma punë në bisedat me vete lojtarët”, – ka shtuar Jonuzi, i cili ka folur edhe në lidhje me mungesat e seancave të para, kryesisht të atyre të huaj. “Po është e vërtetë se mungojnë disa lojtarë të huaj, por dua të sqaroj se Ualusimbi është me leje dhe vjen javen tjetër, ndërsa Hygori vjen pas 10 ditësh, – ka sqaruar trajneri i shkodranëve. – Ndërsa, për dy brazilianët, Emersonin dhe Uendersonin, mendoj se nuk duhet të jenë më pjesë e skuadrës.”
“Por, meqë ato e kanë kontratën me klubin deri në fund të sezonit, një gjë e tillë duhet të zgjidhet me mirëkuptim”, – shtoi ai. Më tej trajneri Jonuzi bëri të ditur edhe programin e ndeshjeve miqësore të planifikuara në këtë fazë përgatitore. “Miqësorja e parë është me Pogradecin, me datë 11 janar, me 14 janar do të luajmë me ekipin vendas të Strugës, që merr pjesë në Superligën e Maqedonisë së Veriut dhe ky padyshim që do të jetë një test i rëndësishëm”, – ka sqaruar trajneri.
“Dhe ditën e fundit, gjatë kthimit në Shqipëri, do të luajmë miqësoren e fundit me Bylisin në Elbasan, – ka vijuar ai. – Me kushtet optimal që do të kemi në Ohër, mendoj se kjo fazë përgatitore do të na shërbejë më së miri për marrjen e formës së duhur sportive për skuadren tonë.”