AlbanianSport.com 23.04.2016 21:15
ASNN – Përgatitjet e kuqebluve të Vllaznisë për sfidën me Flamurtarin janë futur në fazën themelore dhe përfundimtare. Trajneri Armando Cungu, së bashku me kolegët e tij të stafit teknik, Maxhar dhe Dani, po bëjnë më të mirën e tyre për ta sjellë skuadrën shkodrane në formën e duhur në mënyrë që ndaj vlonjatëve të merren tre pikët e shumëpritura.
Përgjithësisht situata në aspektin e gatishmërisë fizike duket optimale. Me skuadrën është bashkuar edhe mesfushori-sulmues Erald Çinari, ndërkohë që tërheq vëmendjen që prej disa ditësh me ngarkesa të plota stërvitet edhe mbrojtësi Erdenis Gurishta, i cili tashmë duket se ka lënë prapa gjithçka rreth atij dëmtimi të rëndë të javëve më parë në pjesën e sipërme të kokës.
I vetmi që ka shfaqur një shqetësim dhe që në fakt përfundoi një ditë në infermieri ishte mbrojtësi i majtë Antonio Marku. Ai në fakt ishte i pranishëm në stadiumin “Reshit Rusi”, por ka ndjekur kolegët e tij të skuadrës nga pista. Në fakt, një përballje shumë e rëndësishme në javën e 31-të është pikërisht ndeshja e Shkodrës, ku Vllaznia pret Flamurtarin.
Kjo është një sfidë direkte mes dy skuadrave, shumë larg emrit të tyre të madh dhe që në këtë sezon kërkojnë qëndrimin në Kategorinë Superiore.