ASNN – Gjëja e parë që tifozeria shkodrane dhe kuqeblutë në tërësi dëshirojnë të dinë rreth Vllaznisë është ajo, nëse do të ketë apo jo ndryshime në skuadër gjatë merkatos dimërore. Me përjashtim të dyshes Arsen Hajdari dhe Adriano Qosaj, të cilët ishin pjesë e miqësores së fundvitit me të rinjtë e Akademisë Vllaznia, në seancën e djeshme stërvitore nuk është parë asnjë i ri tek kuqeblutë.
Dhe pyetja e parë ka qenë e drejtëpërdrejtë për trajnerin Armando Cungu se çfarë pret realisht nga kjo merkato dimërore për Vllazninë e tij. “Dëshira është për të pritur gjëra të mëdha, por e rëndësishme është që pjesa kryesore e grupit është dhe besoj se kjo do të jetë Vllaznia e pjesës tjetër të sezonit. Gjithnjë duke shpresuar gjithmonë deri në ditën e fundit se do të gjejmë ndonjë mundësi financiare më të mirë.”
“E pse jo dhe të afrojmë ndonjë lojtar, i cili mund të na ndihmojë për pjesën në vazhdim të kampionatit”, – ka shtuar ai. Në vazhdim, duke parë edhe kontingjentin dhe mundësitë që ekzistojnë, ai shprehet se me shumë gjasa kjo është Vllaznia e pjesës tjetër të sezonit. Por, sidoqoftë, edhe për kontingjentin që ka në dispozicion, ai e ka një merak, sepse mes tyre ka edhe nga ato që gjatë javëve të fundit të fazës së dytë kaluan momente aspak të mira dëmtimi.
“Shpresoj që të jenë të gatshëm të gjithë sportistët, pasi kemi pasur shumë probleme, të paktën në fund të vitit me disa lojtarë, të cilët për një periudhë të gjatë kanë qenë të dëmtuar. Dhe nga stafi mjekësor kam marrë sinjale se jo të gjithë janë të gatshëm. Që do të thotë se jo të gjithë kanë gjendjen e duhur fizike për të marrë ngarkesën e duhur. E me këta lojtarë duhet bërë vërtetë kujdes”, – ka përfunduar trajneri Cungu.