Dita e enjte duket se ka qenë “dita e lajmeve të mira” për kuqeblutë e Vllaznisë. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka ardhur një lajm shumë pozitiv për Vllazninë, të cilin e ka bërë të ditur administratori i Vllaznisë, Astrit Gjyrezi.
Ai në cilësinë e administratorit të klubit ka deklaruar se janë falur gjobat ndaj futbollistëve. Bëhet fjalë për një propozim që ishte bërë pas humbjes së pësuar në shtëpi me Teutën e Durrësit, që kishte të bënte për vendosje gjobash ndaj të gjithë skuadrës për paraqitje të dobët në këtë ndeshje.
Një propozim që në fakt ishte fare pranë zyrtarizimit, por, në një farë mënyre, zërat që vinin nga kupola e klubit bënin të ditur se në varësi të ndryshimit të situatës ato edhe mund të faleshin.
Kështu që duket se fitorja e arritur të hënën ndaj rivalit direkt Flamurtari ka bërë efektin e duhur në marrjen e këtij vendimi për faljen përfundimisht të gjobave, lajm të cilin Gjyrezi e bëri të ditur zyrtarisht për “Sport Ekspres” në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes .