Aleancat, qoftë për pozicionin e kreut të tabelës së renditjes, por edhe për grupin e skuadrave që luftojnë për mbijetese, kanë qenë jo pak në fokus të opinionit sportiv edhe gjatë dy fazave të para të kampionatit. Por për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjatë përballjeve të fazës së tretë duket se po lakohen disi më shumë.
I pyetur direkt për disa opinione të shfaqura kohët e fundit se ndaj Vllaznisë kanë filluar të rëndojnë aleancat e skuadrave të ndryshme, administratori Astrit Gjyrezi nuk parapëlqen të merret me këtë temë. “Së pari, ajo që më duhet të pohoj është fakti se Vllaznia nuk ka aleancë me asnjë skuadër të kampionatit shqiptar”, – ka thënë ai.
“Ndërsa po kështu mendoj se ka skuadra në aleancë kundra Vllaznisë, – ka vijuar administratori i klubit kuqeblu. – Edhe nëse mund të ketë, ajo është çështje e tyre, neve nuk na intereson fare një problem i tillë. Për ne ka rëndësi që të shohim me seriozitet punën tonë.”
“Dhe të punojmë me përkushtim për të marrë pikët e duhura ndeshje pas ndeshjes në kërkim të realizimit të objektivit që i kemi vënë vetes për të qëndruar jashtë “zonës së ftohtë” të largimit nga Kategoria Superiore”, – ka përfunduar administratori i klubit të Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”.