Pasi e ka ndjekur ndeshjen nën shoqërinë e kreut të Bordit Mbikqyrës Vllaznia, Shpëtim Quku dhe drejtorit sportiv, Armir Grima, administratori i kuqebluve, Astrit Gjyrezi i është përgjigjur interesimit të mediave të pranishme.
Në prononcimin e tij të parë publik si administrator i Vllaznisë, Gjyrezi, pasi garantoi anën financiare të futbollistëve, u shpreh optimist për ndryshimin e gjendjes së skuadrës kuqeblu.
“Kemi ardhur së bashku me zotin Quku për t’i dhënë mbështetjen ekipit, – ka thënë ai. -Sigurojmë të gjithë ekipin dhe tifozët e Vllaznisë që detyrimet karshi lojtarëve janë të përfunduara sipas kushteve të kontratës që kanë pasur.”
“Besoj se mbetet detyrë e stafit të ekipit dhe të gjithë lojtarëve që të shprehin angazhimin e tyre në këtë fazë përgatitore”, – theksoi Gjyrezi, duke shtuar se patjetër që ka siguri në të ardhmen për nga ana financiare.
Po kështu, administratori i kuqebluve, Astrit Gjyrezi shpjegoi se, “së bashku me trajnerin Cungu po bashkëpunojmë edhe për gjetjen e ndonjë lojtari tjetër që së shpejti do t’i ofrohet ekipit”.