Gjergj Vyshka 20.08.2017 16:35
ASNN – Një barazim 1-1 ndaj një skuadre të Kategorisë së Parë, si Besëlidhja, ai i djeshmi në Lezhë, që për Gilman Likën, një nga katër blerjet e Vllaznisë në këtë sezon, nuk duhet parë me sy kritik.
Në vijim Lika bën të ditur se Vllaznia ka nevojë edhe për dy-tre përforcime të tjera, ndërkohë që rikthimin e tij në shtëpi e shikon si një mundësi për të kontribuar për skuadrën e tij në mënyrë që ajo të mos jetë më në “ujërat” e mbijetesës së viteve të fundit.
Në lidhje me numrin e madh të futbollistëve në repartin e mesfushës, ku edhe ai bën pjese Lika e sheh si pozitivitet dhe jo si ndonjë problem për trajnerin, pasi me këtë rast, ai do të ketë luksin të bëjë zgjedhjet e duhura.
Ashtu si edhe në miqësoren e mëparshme me Tërbunin e Pukës, edhe në këtë të fundit me Besëlidhjen, trajneri Armando Cungu, i ka besuar veteranit Lika shiritin e kapitenit, të cilin sezonin e kaluar e ka mbajtur mesfushori tjetër Ndriçim Shtubina që tashmë është bërë pjesë e kuksianëve.