ASNN – Festat e fundvitit pritet ta gjejnë skuadrën shkodrane me lajme të mira në aspektin financiar. Bëhet fjalë për rrogat e prapambetura, pasi kuqeblutë po shkojnë drejt mbylljes së muajit të tretë pa u likuiduar me rrogat mujore të planifikuara për secilin pjesëtar të klubit shkodran, kjo sipas kontratave përkatëse. Ky është një lajm shumë i mirë, që duket se i vjen nga babagjyshi i Vitit të Ri, që ka rezervuar si dhuratë për futbollistët shkodranë dhe stafin e tyre drejtues pikërisht pagesat mujore.
“Nuk është problemi tek rrogat, ne jemi sportistë, jemi profesionistë, duhet të shikojmë punën tonë, si në stërvitje, ashtu edhe në fushën e lojës. Pastaj ato gjëra i takojnë tjetër kujt”. Kështu u shpreh një ditë përpara ndeshjes sulmuesi kuqeblu, Brunild Pepa, në lidhje çështjen e vonesës e rrogave prej dy muaj e gjysmë nga klubi. Dhe, në fakt, fusha e lojës, në përballjen e së enjtes me Tiranën, e tregoi se skuadrën shkodrane nuk e pengoi një kompleks i tillë për të marrë rezultatin e dëshiruar, atë të fitores.
Përpjekjet e saj ishin maksimale për të gjetur golin e fitores, ndërsa futbollistët u treguan me të vërtetë profesionist, siç theksoi edhe Pepa në pragndeshje. E megjithatë nuk është se dolën pa gjë, sepse edhe barazimi për to ndaj një Tirane, shumë më të mirëorganizuar se Vllaznia edhe në aspektin financiar, konsiderohet rezultat i kënaqëshëm.
Dhe, menjëherë, një ditë pas ndeshjes, kuqeblutë marrin lajmin e mirë që në llogaritë e tyre personale pranë bankës ka kaluar një pjesë e detyrimit që klubi dhe Bashkia ka ndaj tyre. Një “dhuratë” që thuhet se vjen nga babagjyshi, jo vetëm për festen tradicionale të Vitit të Ri, por edhe për festen tjetër po aq tradicionale të Krishtlindjes.