AlbanianSport.com 26.07.2015 08:50
ASNN – Futbolli shqiptar ka, prej disa vitesh, që nuk prodhon elementë cilësorë dhe gara në Kategorinë Superiore dominohet nga skuadra që arrin të mbledhë lojtarët më të mirë në qarkullim. Klube të ndryshëm kishin filozofinë e tyre të prodhimit të talenteve, por kjo gjë sot nuk ndodh dhe kjo është pasojë e një menaxhimi të keq në sport.
Vllaznia që dikur mbahej si fidanishte e prodhimit të talenteve në futbollin shqiptar ka humbur, gjithashtu, shkëlqimin e saj. Si të mos mjaftonin problemet e vjetra, kjo skuadër u bënë vite që nuk njeh sukses në kampionat, duke e irrituar jo pak tifozerinë e shkëlqyer të qytetit të Shkodrës.
Ditët e fundit u tërhoq nga futbolli i luajtur njëri prej lojtarëve kryesorë të Vllaznisë, njëherësh mbrojtës i skuadrës kombëtares për disa vite, duke regjistruar shumë ndeshje me fanellën kuqezi. Elvin Beqiri “vari këpucët në gozhdë”, duke mos pranuar të negociojë me klubin uljen e pagës së tij, diçka që nuk duhej të kishte ndodhur, të paktën jo me të.
Padyshim që tërheqja e Beqirit bëri bujë mediatike dhe sjellja e klubit shkodran u kritikua ashpër. Vetë Beqiri nuk ka dashur t’i fryjë “zjarrit”, duke zgjedhur fjalë të matura për “divorcin” e tij me Vllazninë, por pa e tradhtuar atë, pasi ai nuk zgjodhi ekip tjetër për të luajtur, por preferoi të linte futbollin e luajtur.
Në intervistën e dhënë për të përditshmen shqiptare, gazetën “SOT”, Beqiri kujtoi se klubi e pati mundësinë ta gjente gjuhën e bashkëpunimit me të, por mungoi dëshira. Megjithatë, mbrojtësi e kupton situatën dhe uron që Vllaznia të bëhet më mirë, pavarësisht se ai rendit disa argumente që sezonin e ri skuadra do të vuajë shumë dhe do të jetë në garë për mbijetesë e jo si pretendente për trofe.