AlbanianSport.com 18/11/2018 13:20
ASNN – Vllaznia e ka mbyllur fazën e parë të këtij sezoni në Kategorinë e Parë e shkëputur në grupin B dhe, për drejtorin sportiv të klubit, Engin Fërat, kjo ishte një nisje e kënaqshme, duke patur parasysh rrethanat. “Po ta marrim që nga fillimi, është i mirë, sepse kur ne filluam, ishte shumë vonë, – ka deklaruar ai. – Ne erdhëm në fund të gushtit, e filluam drejtimin e klubit bashkë me Suad Licin, atëherë kur skuadrat e tjera kishin mbaruar madje edhe merkaton dhe ishin në fazë të avancuar me stërvitjen.”
“Me pak fjalë, ne erdhëm në ditët e fundit dhe nuk kishim mundësi të bënim merkato dhe ta përgatitnim skuadrën siç do të donim, – ka vijuar 48-vjeçari. – Prandaj jam i kënaqur me këtë fazë të parë, por, në të njëjtën kohë, duhet të them se duhet të luajmë një futboll më të mirë dhe shpresoj që të përmirësohemi në këtë pikë.” Duke folur posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, drejtori turk i klubit shkodran, ka vlerësuar edhe punën e trajnerit Hasan Lika.
“Hasani ka shumë përvojë dhe ne punojmë shumë ngushtësisht bashkë dhe deri më tani nuk kemi probleme, – ka thënë Fërati. – Por ju ne dini që ne jemi të gjithë profesionistë të lëmit dhe të gjithë synojmë arritjen e rezultateve, prandaj ka shumë presion. Dhe këtë vit ne nuk kemi asnjë shans tjetër, veçse të fitojmë e të shpallemi “kampionë”. Ai ka folur gjithashtu edhe për merkaton e janarit, por duke e hedhur vështrimin shumë më larg.
“Natyrisht, është normale që ne synojmë ta përmirësojmë skuadrën në çfarëdo mënyre të mundemi dhe duhet të keni parasysh që ne nuk po synojmë vetëm për këtë vit, por edhe për vitet që vijnë, prandaj kërkojmë gjithnjë ta përmirësojmë skuadrën dhe që të marrim përforcime, çka është e zakontë dhe kështu do të jetë” – ka përfunduar Drejtori Teknik të Vllaznisë, Engin Fërat, në intervistën që dha posaçërisht për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, të cilën AlbanianSport.com do t’jua sjellë pak më vonë të plotë.