AlbanianSport.com 23/01/2021 15:40
ASNN – Edhe për arsye se të shtunën ai ka festuar datëlindjen e tij të 46-të, me një lumë urimesh dhe dedikimesh nga të gjitha anët, si në person, ashtu edhe nëpërmjet rrjeteve sociale dhe komunikimit telefonik dhe elektronik, që ka kulmuar me një festë në mbrëmje, trajnerit të Vllaznisë, Tomas Brdariç, i “është falur” që konferencën për shtyp ta bëjë të shkurtër.
“Faleminderit të gjithëve për urimet, shpresoj që edhe ju të jeni mirë, – ka thënë ai fillimisht. – Ju duhet të besoni dhe ju falenderojmë për bashkëpunimin që keni me ekipin. E rëndësishme është që jemi të gjithë të shëndetshëm. Është e rëndësishme që shëndeti të jetë primar, sepse shumë veta kanë humbur jetën në këtë periudhë pandemie. Nëse jemi mirë, çdo gjë tjetër rregullohet.”
Vllaznia do të presë këtë të diel Kastriotin në “Loro Boriçi”, në ndeshjen që luhet duke nisur nga ora 16:45 dhe që është e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Në konferencën për shtyp të rastit, trajneri i kuqebluve theksoi se skuadra e tij duhet të marrë një fitore bindëse e jo “me zemër në dorë”. “Ne duhet të mësojmë prej çdo momenti”, – ka thënë gjermani i stolit shkodran.
“Kanë kaluar 15 javë dhe do të kemi ulje-ngritje, – ka vijuar Brdariçi. – Duhet të mësojmë prej këtyre situatave dhe t’i kalojmë.” Në prag të kësaj përballjeje, Vllaznia kryeson renditjen në kuotën e 35 pikëve, e shkëputur plot 9 pikë nga dy ndjekëset më të afërta, Partizanit dhe Teuta, dhe plot 18 pikë larg kundërshtares së të dielës, Kastriotit, që mban vendin e 7-të.