Mbyllet kapitulli “Reshit Rusi”, transferimi në stadiumin modern të “Loro Boriçit” pritet të jetë një shtysë dhe ogur i mirë për një skuadër tjetër në sezonin futbollistik 2016-2017. Ndonëse jo shumë gjatë për momentin, por për rastin në fjalë të stadiumit “Loro Boriçi” ka komentuar paksa edhe vetë trajneri aktual i Vllaznisë, Armando Cungu.
“Është nder i madh mendoj, jo vetëm për mua si trajner, por edhe për këto djem dhe këto tifozë, apo edhe për emrin e madh të Vllaznisë, që të ketë një stadium modern me parametra evropian, – ka thënë ai. – Natyrshëm që shpresojmë që të jetë një ogur i mirë dhe fatsjellës për ekipin e Vllaznisë për një sezon tjetër.”
“Por normalisht duhet kuptuar se kërkohet edhe një Vllazni tjetër për ta përligjë atë ambient madhështor nëse mund të them kështu”, – është shprehur për “Sport Ekspres” trajneri Cungu. Një stadium ku ai është rritur si futbollist, për disa vite ka drejtuar edhe në stafin teknik si zëvendëstrajner i Vllaznisë.
Por që në shtator, apo në fund të gushtit, në varësi të startit zyrtar të kampionatit të ri do të ketë rastin ta drejtojë Vllazninë në stolin e këtij impianti modern. Të gjithë e presin një gjë të tillë që ta ketë Cungun në timonin e skuadrës së tyre edhe për vazhdimësinë, edhe pse ai vetë një gjë të tillë nuk e ka deklaruar akoma zyrtarisht.
Gjë që pritet të konfirmohet pas një takimi që ai do të ketë me kryebashkiaken Voltana Ademi brenda ditëve të javës së ardhshme.