ASNN – Në konferencën për shtyp, dhënë në mjediset e stadiumit “Reshit Rusi”, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka shfaqur një shqetësim të veçantë, që lidhet me mediat. “Edhe diçka të fundit, besoj se ju kërkoj miqësisht, ju kam thënë edhe radhën tjetër, tashmë ju kërkoj edhe profesionalisht që çdo fjalë e imja të transmetohet e drejtpërdrejtë, kështu siç është, në mediat e juaja dhe të mos tjetërsohet, si vizive, ashtu dhe ato të shkruara.”
“Pasi ka raste që i bëhet reklamë, nëse mund ta them kështu, një sportisti, – ka vijuar ai. – Tek Vllaznia nuk ka nevojë për reklamë, reklama i bëhet gjithë Vllaznisë. Kështu që jemi shkodranë, e ndiejmë menjëherë, duhet t’i shërbejmë ekipit dhe jo një individi të caktuar. Dhe me këtë dua të them se tek Vllaznia vendimet për t’u larguar ose për t’u ofruar një sportist i merr Armando Cungu. Këtë, falë edhe mbështetjes që më ka dhënë kryetarja e Bashkisë, njëkohësisht edhe drejtuesit e tjerë.”
“Por njëkohësisht është edhe një veprim ose një diçka që unë nuk e negocioj me askënd tjetër, – ka theksuar kreu i stolit shkodran. – Nëse kam ardhur tek Vllaznia, kam ardhur për të punuar aq sa di unë. Nëse ka më të mirë, jam i gatshëm t’ia hap rrugën kujtdo. Pazare nuk mund të bëhen këtu, as në kurriz të Armando Cungut dhe as të emrit të Vllaznisë. Cilitdo lojtar që është i “B”-së, ka të drejtë të vijë tek “A”-ja, sikundër edhe i “A”së do të shkojë edhe tek “B”-ja. Lojtarë të paprekshëm s’ka”.