ASNN – Futbollistët marrin pagesat e tetorit, shumë shpejt, brenda 2016-ës, edhe pjesa tjetër e prapambetur. Urimi i Cungut: Shëndet e pare…! Për hir të së vërtetës, skuadra kuqeblu nuk është se ka pasur problem në lidhje me likuidimin e pagave ndaj futbollistëve dhe stafit. Sepse gjithçka është e firmosur dhe protokolluar në kontratat dypalëshe me klubin e futbollit Vllaznia dhe Bashkinë e Shkodrës.
Ndaj dhe është likuiduar një për një për secilin pjesëtar të Vllaznisë. Por ajo që ka qenë prezente, dhe që në fakt shfaqet në një farë mënyre edhe këtë fund viti, është vonesa në kohë e daljes së këtyre rrogave. Për çështjen në fjalë ka folur edhe trajneri Cungu, ku, duke sqaruar edhe situatën e periudhës së fundit, ka bërë me dije që është informuar se rroga e tetorit do të dalë sot.
“Të jemi i sinqertë, ndonëse nuk e di mirë ende, jam informuar se ka dalë një diçka e tillë, – ka thënë ai. – Realisht pothuaj kemi hyrë në muajin e 3-të, çka do të thotë se dy muaj e gjysmë janë bërë. Por normalisht nuk e shoh shqetësim të them të drejtën. Absolutisht që nuk jam dakord, e mira është që të paguhen me korrektësinë më të madhe, muaj për muaj.”
“Megjithatë, këtë shqetësim e kemi pasur edhe në edicionin e kaluar dhe nuk ka përbërë ndonjë problem serioz për të anashkaluar ndoshta gabimet tonë dhe për t’u fokusuar tek pjesa e rrogave, – ka vijuar trajneri. – Të paktën, për periudhën që kemi lënë pas, klubi ka qenë jashtëzakonisht korrekt me sportistët, çka do të thotë se nuk i ka mbetur as edhe një qindarkë të vetme asnjë prej futbollistëve.”
“Kështu që jam i bindur që edhe sivjet klubi do të tregojë po të njëjtën korrektësi. Mbesë edhe një herë me shpresën që sa më shpejt të zgjidhet kjo situatë, pasi normalisht që nuk është situatë e mirë”, është shprehur për këtë problem trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu.