Trajneri i kuqebluve vlerëson kundërshtarin, por kërkon prej skuadrës së tij vetëm fitore duke qenë i vetëdijshëm për forcën e madhe që ka grupi që ai drejton përballë bluzinjve. Si zakonisht, një ditë përpara ndeshjeve zyrtare, trajneri Cungu ka folur në konferencën për shtyp për gazetarët sportivë shkodranë.
– Tashmë vëmendja është përqendruar tek Kategoria Superiore dhe Vllaznia luan sot në fushë të huaj ndaj Luftëtarit… si është atmosfera në skuadër pas humbjes me Skënderbeun?
– Normalisht që vëmendja e të gjithë opinionit sportiv ka qenë tek Kombëtarja. Por, megjithatë, ne jemi munduar të jemi të fokusuar tek ekipi dhe tek puna e jonë. Pra nuk kemi neglizhuar absolutisht dhe nuk e kemi shkëputur vëmendjen nga ndeshja që do të luajmë sot. Normalisht që është një ndeshje e radhës për ne kundër një ekipi relativisht të panjohur, pasi edhe informacionet janë shumë të pakta. Sepse nuk i kemi pasur mundësitë për ta parë dhe analizuar kundërshtarin që do të kemi sot përballë. Megjithatë, është një ekip që duhet respektuar sepse në fund të fundit vjen me pikë të barabarta me ekipin tonë të Vllaznisë. Çka do të thotë duhet ta respektojmë dhe duhet të jemi shumë serioz në fushën e lojës për të arritur një rezultat pozitiv që për mendimin tim gjithmonë trepikëshi do të ishte shumë i mirë dhe shumë i favorshëm për ekipin tonë.
– Është dështim barazimi ndaj Luftëtarit?
– Besoj që edhe ju e dini më mirë që futbolli luhet për tre rezultate. Kështu që në futboll, aq më tepër në Kategorinë Superiore, nuk ka as edhe një ndeshje të lehte. Mos të harrojmë që ky ekip pothuajse i dhuroi Partizanit trepikëshin duke i dhënë një penallti të paqenë në fund, çka do të thotë se është një ekip shumë serioz. Pra Luftëtari dhe nuk duhet marrë aq lehtë. Me këtë dua të them që në këtë Superiore nuk ke garanci në aspektin e asaj që mund të marrësh tre pikë, por edhe mund të mundesh me ekipin më të fortë, apo dhe më të dobët. Kjo do të thotë që nuk mund të them se është dështim, por nuk mund të jem i kënaqur me një pikë kundër këtij ekipi. Sidomos këto javë janë javët tona realisht me ekipe pothuajse direkte rivale për t’u munduar. Sepse duhet t’i lëmë poshtë vetes në renditje. Megjithatë nuk duhet të nisemi me idenë e dështimit në rast se dalim barazim. Le të rrimë me këmbë në tokë dhe synimi i jonë është vetëm fitorja, trepikëshi.
– Ndeshje me rëndësi, por me disa mungesa në formacion…?
– Mungese objektive dhe subjektive mund të them. Objektive janë dëmtimet e Markut, tashmë prej tre javësh, njëkohësisht edhe kartonët e Krymit. Ndërsa, jo fort të llogaritura mirë, mund të them të Gurishtës dhe të Vecajt pasi kanë qenë pjesë e kombëtares U-21. Dhe kanë mbërritur vonë në mbrëmjen e së martës në Rinas, ndërsa një ditë më përpara kishin luajtur përballë Izraelit. Që do të thotë se nuk e shoh se mund të jenë të disponueshëm për momentin nga minuta e parë. Megjithatë do të tentojmë t’i kemi pjesë e kësaj ndeshje, pra 18-tëshes për të parë mandej se sa mund të jenë të aftë dhe të freskët për të na shërbyer.
– Është kaluar ajo atmosfera jo e mirë pas ndeshjes me Skënderbeun?
– Besoj se nuk ka pasur arsye për të mos kaluar, natyrshëm që mërzia dhe pakënaqësia ka qenë jo vetëm e imja, por çdo kujt besoj. Edhe sportistët besoj se nuk janë ndier komod me atë paraqitje që bëmë me Skënderbeun dhe shpresoj që të kemi nxjerrë mësime gjithsecili prej nesh që paraqitje të tilla të mos ndodhin më. Një ndeshje mund ta humbasësh, mund ta humbasësh me dinjitet duke luftuar, duke treguar karakter gjë të cilën e kemi bërë për katër javë më së miri. Na mungoi në ndeshjen me Skënderbeun, megjithatë besoj tashmë nuk ka arsye që të fokusohemi dhe të kthejmë kokën mbrapa. Duhet të fitojmë ndeshjen sot.
– Luhet në Peqin, ka ndonjë problem për Cungun kjo fushë?
– Jo absolutisht nuk ka asnjë lloj problemi. Besoj se fusha është e njëjtë, si për ne, ashtu dhe për Luftëtarin. Them që duhet të nxjerrim alibi të tilla që ashtu siç nxorëm ndoshta ndeshjen me Skënderbeun që luhet në Korçë. Këto janë vendimet që marrin të tjerët, kam thënë edhe një herë tjetër, ne jemi të detyruar për të zbatuar vendimet e tjerëve, por, në fund të fundit, futbolli është bërë për të luajtur brenda dhe jashtë. Aq më tepër kjo ndeshje në fushë asnjanëse, besoj është favor për ne, duhet ta shfrytëzojmë si favor të tillë.
– Duket se këto ditë i keni kushtuar më tepër vëmendje, treshes Kruja, Çinari dhe Kalaja, mund të jenë në planet tuaja të luajnë në këtë ndeshje?
– Në fakt, që pas mbarimit të ndeshjes në Korçë, jam munduar për të parë. Realisht nuk është se më kanë bindur individ të veçantë. Kështu që jam detyruar të bëj spostime, prova dhe eksperimente të ndryshme, megjithatë deri mesditën e së mërkurës do të fokusohem për 11-shen e parë që do të luajmë ndaj Luftëtarit. Sidoqoftë, kam shumë punë, të jemi realist, kam edhe mbingarkese nëse mund të flas kështu në krahë ku pothuajse janë 6-7 futbollistë të cilët pretendojnë të luajnë për dy vende. Në këtë aspekt është gjë e mirë, por nuk është edhe shumë pozitive pasi ndoshta ndonjë individë nuk mund të ketë hapësirë për ato minuta që ka nevojë për të marrë. Pasi dikush vjen pas dëmtimeve, dikush tjetër natyrshëm do të gjejë ritmin e lojës, pasi ka pas një periudhë të gjatë pushimi. Por që të gjithë janë të vlefshëm për Vllazninë.
Formacioni i mundshëm (4-2-3-1)
Agoviç
Pjeshka – Cicmil – Bicaj – Gocaj
Tafili – Bardulla
Çinari – Vajtzer – Kalaja
Shtubina