Paraqitja e dobët në ndeshjen e kaluar me Laçin duket se e ka ulur në stol malazezin Dragojeviç për t’u zëvendësuar nga Selimaj, ndërkohë që në lojë nga minuta e parë pritet të jenë edhe sulmuesi Dibra dhe mesfushori Kapaklia. Por nuk është vetëm aktivizimi i Selimajt si titullarë ndryshimi i vetëm që Cungu do të ketë në përballjen me kukësianët.
Nga sa u pa në seancën e djeshme nga minuta e parë pritet të luajnë edhe mesfushori Ambroz Kapaklia dhe sulmuesi Arenc Dibra. I pari, Kapaklia, në sfidën e luajtur në shtëpi ndaj Flamurtarit bëri një paraqitje jashtëzakonisht të mirë duke marrë vlerësime shumë pozitive edhe nga opinion sportive shkodran. E nëse me vlonjatët luajti në një rol të ri për të, duke zëvendësuar Pjeshkën në krahun e djathtë të mbrojtjes, këtë radhë ai rikthehet në vendin e tij të zakonshëm si mesfushorë qendre së bashku me Krymin.
Vlerat e Dibrës në sulm dihen tashmë, sepse në këtë rol ai luan prej kohësh. Gjithnjë nisur nga ajo që Cungu aplikoi në seancën e djeshme, ai do të luajë në majë të sulmit duke zhvendosur Shtubinën në krahun e majtë edhe për faktin se në këtë ndeshje pritet të mos jetë në fushë Kalaja.