ASNN – Kukësi pretendent për titull “kampion”, por Vllaznia, edhe pse me probleme dëmtimesh, përsëri synon trepikëshin për mesin e artë. Nën një mot të ftohtë dhe me temperatura nën zero, si në asnjë janar tjetër në Shkodër, kuqeblutë janë duke pritur sfidën me Kukësin, e cila do të luhet sonte në ora 18:00 në Stadiumin e tyre, “Loro Boriçi”.
Është ndeshja e parë zyrtare për Vllazninë për vitin 2017 dhe duke qenë përpara publikut shkodran kuqeblutë duan fitore. Pavarësisht se sinoptikanët parashikojnë edhe në këtë fundjavë një klimë të egër, në “Loro Boriçi” pritet një dyndje tifozësh shkodranë. Dhe, bashkë me ta, edhe ata kukësianë, që gjithnjë në “Loro Boriçi” kanë qenë të shumtë.
Dy skuadra që për momentin luftojnë në kahe të kundërta, kuksianët për të mbajtur pozitat e kreut të tabelës së renditjes dhe vendësit të pozicionuar aty tek “mesi i artë” e për ta mbajtur këtë pozicion. Po cili është konkretisht objektivi juaj për këtë ndeshje, është pyetja e radhës që vjen për trajnerin e Vllaznisë, Armando Cungu, në pra të sfidës me kryesuesit.
“Kam thënë edhe herë të tjera, mos më pyesni për objektiva, sepse unë nuk jam trajner që futem të barazoj, apo për të humbasë. Kjo nuk ka për të dalë kurrë nga goja e Armando Cungut kudo që të ndodhem. Edhe me 10 fëmijë të kopshtit në fushë, jo më me futbollistët profesionistë, do të pretendoj gjithmonë fitoren”, – ka përfunduar trajneri kuqeblu.