AlbanianSport.com 05.01.2017 16:15
ASNN – “Dukeni i qetë, vjen ndoshta nga pozicioni komod i Vllaznisë?” është pyetja e radhës drejtuar trajnerit Armando Cungu, përgjigja e të cilit vë në dukje atë se pjesa e dytë e sezonit është më e vështirë se e para. “Unë në fakt i qetë jam munduar të jem gjithmonë, por kjo renditje e Vllaznisë në mes të tabelës është provizore, pavarësisht se kemi qenë të tillë që nga fillimi i sezonit”, – ka thënë ai.
“Por kjo qetësi duhet të na shërbejë jo vetëm mua, por edhe të gjithë futbollistëve për të dhënë maksimumin dhe për të qenë më të qetë në punën tonë, – ka vijuar Cungu. – Sikurse duhet të luftojmë dhe duhet të punojmë jashtëzakonisht shumë për dy fazat e mbetura, pasi ka për të qenë shumë e vështirë dhe shumë e egër.” Trajneri shkodran ka vënë në dukje edhe faktin se skuadrat rivale po lëvizin në merkato.
“Tashmë po shohim që rivalët po forcohen të gjithë me emra të ndryshëm në merkato, – ka pohuar ai. – Ne nuk patëm mundësi për arsye edhe financiare që tashmë dihen, por duhet të jem realist dhe dua të flas aq që është. Në këto kushte ky kontingjent dhe këto sportistë duhet të jenë të ndërgjegjshëm për të bërë maksimumin e tyre, jo vetëm në seancat stërvitore, por edhe në ndeshje.”
“Duhet të ruhemi nga dëmtimet, sepse nuk kemi luks për të humbur lojtarë të tjerë”, – ka përfunduar i pari i stolit të Vllaznisë, Armando Cungu.