Për trajnerin shkodran, Armando Cungu, mbyllja e kampionatit ka ardhur në mënyrën më të mirë. Përpjekjet e tij, së bashku me futbollistët dhe drejtuesit e klubit, kanë arritur të kurorëzohen me sukses, jo vetëm duke e mbajtur Vllazninë në Superiore, por jashtë parashikimit duke renditur atë në një vend të merituar siç është ai i 6-ti.
Ndaj, për këtë arsye, duartrokitjet në adresë të tij nga publiku kanë qenë të shumta në fund të ndeshjes. “Objektivi primar ka qenë qëndrimi në kategori, – ka deklaruar ai pas ndeshjes me Bylisin. – Por ashtu siç shkoi kampionati, ndërsa dy-tre herë prekëm edhe vendin e 6-të, përsëri kemi qenë të rrezikuar.”
“Natyrshëm që për ndeshjen e fundit bëmë çmos për ta përfunduar, apo për ta blinduar nëse mund të them kështu vendin e 6-të”, – vijoi trajneri. I pyetur për renditjen ai tha se “vendi i 6-të, i cili më shumë shkon për aspektin moral dhe për punën shumë të mirë që ka bërë skuadra që nga muaji janar.”
“Kanë punuar jashtëzakonisht mirë dhe kanë qenë shumë serioz, madje kemi grumbulluar edhe shumë pikë. Kështu që besoj se ka qenë një vend më se i merituar për Vllazninë”, – përfundoi trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, në prononcimin e tij për mediat në mbyllje të takimit me Bylisin.