Ashtu siç ishte planifikuar, kuqeblutë i janë rikthyer stërvitjes me seancën e djeshme të zhvilluar në orën 17:00 në Fushën Sportive “Reshit Rusi”. Nisja e kësaj jave vinte pas një dite pushim, e cila iu dha skuadrës pas përfundimit të ndeshjes me Laçin në fushë të huaj. Por në të njëjtën kohë kjo ditë pushimi ka qenë edhe për të shijuar festën e Pashkëve Ortodokse.
Edhe pse në fakt ka pasur shumë për të thënë, në ndryshim nga herët e tjera, këtë radhë trajneri Armando Cungu ka preferuar të mos ketë analizë me minutazh të gjatë, gjë të cilën mësohet mund ta bëjë më të zgjeruar pas ndeshjes me Kukësin. Madje, si asnjëherë tjetër, nuk e ka mbajtur skuadrën në dhomat e zhveshjes, por atë çfarë ka pasur për t’ia thënë ia ka transmetuar në mesin e fushës kohë në të cilën futbollistët janë rreshtuar përpara tij për nisjen e seancës stërvitore.
Sidoqoftë, edhe pse në vetëm pak minuta, nga sa mësohet ai është ndalur konkretisht tek moment i pësimit të dy golave të parë, të cilët në fakt janë pësuar në mënyrën më të papranueshme, qoftë për faj të repartit të mbrojtjes, por dhe të portierit Dragojeviç. Më pas, duke mos pasur kohë për të humbur, trajneri Cungu ka nxituar në zbatimin e programit stërvitor.
Kjo pasi për përballjen me Kukësin kishte vetëm dy seanca stërvitore në dispozicion. Bëhet fjalë për atë të djeshmen pasdite, si dhe për të mesditës së sotme pas së cilës skuadra do të niset menjëherë drejt Kukësit.