I vetmi që vazhdon të jetë akoma në infermieri nga kontingjenti i të dëmtuarve të ditëve të fundit është mesfushori-sulmuesit Erald Çinari. Në ndryshim nga Kapaklia për Çinarin problemet në lidhje me dëmtimin nuk janë të freskëta, pasi, siç është shprehur për mediat edhe trajneri Armando Cungu, ai ka kohë që vuan nga problemet muskulore, por me dëshirën e tij për të luajtur është përpjekur për ta mbajtur larg vëmendjes së stafit teknik.
Megjithatë që prej javës së kaluar, me orientimin e vetë Cungut, stafi mjekësor po vijon të merret shumë seriozisht me Çinarin duke aplikuar terapi intensive dhe shumë profesionale. Në të tilla kushte, për të tashmë pritet vendimi i vetë pjesëtarëve të stafit mjekësor, të cilët një gjë të tillë pritet ta bëjnë sot ku do të vendoset përfundimisht nëse do të jetë apo jo i mundur të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e fundjavës me Flamurtarin.
Nga sa mësohet, dëshira e vetë Çinarit, ashtu siç ka bërë edhe në shumë ndeshje të tjera të këtij sezoni, është që ai të jetë në fushën e lojës për të kontribuar për ekipin. Pse jo edhe të shënojë siç ka bërë edhe në ndeshjen e fazës së dytë të luajtur në Shkodër kundër këtij ekipi. Megjithatë me dëshirën për të ruajtur futbollistin, duke i kushtuar më tepër rëndësi të ardhmes së tij, stafi mjekësor po gjykon me qetësi dhe profesionalizëm për një çështje të tillë.