Dy fitoret radhazi të regjistruara javën e kaluar, fillimisht në vizitën e Pukës me Tërbunin e më pas të dielën në Shkodër ndaj Tiranës, kanë rritur në maksimum moralin e skuadrës kuqeblu. Këtë e bën të ditur për të përditshmen sportive shqiptare “Sport Ekspres” edhe malazezi Stefan Cicmil, i cili ndër të tjera thotë se kanë qenë tepër të nevojshme këto fitore. “Për hir të së vërtetës, – thotë Cicmili, – duhet të pranojmë se edhe pse po luanin mirë nuk po vinin pikët.”
Dhe duke qenë se në varësi të kundërshtarëve rivalëve të katit të fundit të tabelës së klasifikimit, fitoret e Vllaznisë përmirësuan ndjeshëm pozicionin e kuqebluve në tabelë, ka ardhur edhe qetësia në skuadër. “Nuk është se kemi siguruar gjithçka, sepse jemi të ndërgjegjshëm që, deri në fund të kampionatit kemi shumë punë për të bërë, por për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se kjo diferencë që kemi me rivalët dhe sidomos me Bylisin na jep shumë besim dhe optimizëm që do t’ia dalim me shumë sukses për të qëndruar në Kategorinë Superiore”, – thotë mbrojtësi malazez.
Është kjo arsye që për sfidën e fundjavës, që do të luhet në “Adush Muça” të Ballshit, skuadra është krejt e qetë sepse e ka të qartë se çfarë kërkon. Sipas tij, presioni është mbi skuadrën vendase së cilës vetëm fitorja i jep mundësinë për t’u rifutur në garën e qëndrimit në Kategorinë Superiore. Ndërkohë që për Vllazninë, kalendari i fazës së katërt është në favor të saj në raport me rivalët e saj të mbijetesës, sepse që të 3 skuadrat që ka prapa, Tërbunin, Flamurtarin dhe Bylisin i pret në fushën e vet, në “Reshit Rusit”.
Madje, këtë të fundit, që këtë fundjavë përballet me të, e pret në javën përmbyllëse të sezonit duke pasur një epërsi jo të vogël të faktorit fushë. “Është një ndeshje shumë e vështirë, por ne shkojmë në Ballsh për të marrë më të mirën e mundshme, ndoshta edhe me një barazim mund të jemi të kënaqur, – ka thënë Cicmili. – Por pse jo edhe për një fitore tre pikëshe, çka duke ia marrë një kundërshtari direkt në konkurrencën e mbijetesës merr një vlerë të dyfishtë, sepse e pozicionon Vllazninë larg tensionit të fundit të tabelës së renditjes.”
I pyetur se cili ishte më i bukur, goli apo autogoli i shënuar me Tiranën, duke e marrë natyrshëm me të qeshur, ai nënvizon se goli që shënoi në portën e Tiranës më i vlefshëm. “Falë Zotit e gjeta shumë shpejt shënimin e golit duke e barazuar rezultatin në 1-1, sepse nëse do të vonohej një gjë e tillë nuk e di se si do ta kisha vazhduar takimin me atë presion psikologjik që kisha në vetvete, ndonëse shokët e skuadrës dhe stafi më kërkonte që të mos e kisha fare mendjen atje”, – zbulon malazezi i kuqebluve të Vllaznisë.
Më tej vazhdon: “Deri tani kam bërë dy gola në portat kundërshtare, që të dy në Shkodër, një ndaj Flamurtarit dhe tjetri ndaj Tiranës të dielën e kaluar. Ndërkohë në Ballsh shpresoj të bëj edhe golin e tretë që, nëse do të rezultonte edhe goli i fitores, do të më kishte sjellë një lumturi tejet të madhe, pasi në këtë mënyrë do ta ndihmoja skuadrën shumë”, – përfundon mbrojtësi malazez i shkodranëve, Stefan Cicmil.