ASNN – Ndonëse dihet që nuk është përgjegjësia e tij, ose më saktë edhe detyra juaj për t’u përgjigjur, por rasti më i fundit i rihapjes së çështjes “Nava” sa mund të ndikojë tek skuadra për të ardhmen? Kjo është pyetja që iu trajnerit të Vllaznisë, Armando Cungu, i cili pati një përgjigje të gjatë. “Nuk është absolutisht moment pozitiv, natyrshëm që nuk është një përgjegjësi e imja, – ka thënë ai. – Megjithatë duke qenë shkodran, por duke qenë momentalisht edhe trajner i Vllaznisë, në një farë mënyrë jo indirekt, por direkt, na bie ndesh edhe ne.”
“Sepse duhet pasur parasysh që nuk është një shumë e vogël të paktën ashtu sikurse pretendon ajo, – ka vijuar trajneri shkodran. – Në këto kushte fatkeqësisht “gjynahet” e tjerëve po i vuajnë drejtuesit e sotëm të klubit Vllaznia, por njëkohësisht edhe këto djem. Shpresoj dhe mbesë me shpresën që gjyqi të dalë në favorin e Vllaznisë së Shkodrës, sepse në të kundërt do të ishte dramatike. Nuk janë pak 300 mijë euro të hiqen prej këtij buxheti, një shumë e madhe gjë të cilën kam frikë se Bashkia e Shkodrës nuk është e aftë për ta mbuluar.”
“E do të thotë një Vllaznia pothuajse totalisht e dërmuar për sezonin tjetër me shumë pak shanse atëherë për të mbijetuar, për të mos thënë se shanset mund të jenë “zero”, – ka pohuar Cungu. – Për mua është e çuditshme, në fakt, sepse çfarë ndodhë në Shqipëri nuk ndodh në botë ku personat përgjegjës as nuk përmenden, as nuk vihen përpara përgjegjësisë, as nuk vihen përpara drejtësisë. Të iki një kompani, të vijë fantazmë e të shkojë fantazmë pa shkruar dy gisht letër, pa mbajtur asnjë përgjegjësi askush dhe të përballemi sot ne nëpër gjyqe, absolutisht nuk është ka kuptim.”
“Megjithatë të tillë janë momentet, të tillë janë fatet e drejtuesve të sotëm të klubit “Vllaznia”, – ka theksuar trajneri i kuqebluve. – Sidoqoftë mbetem me shpresën gjithmonë që fitorja e këtij gjyqi të jetë në anën tonë, sepse realisht duhet të jetë në anën e Vllaznisë. Një kompani që me sa di unë nuk ka derdh as edhe një qindarkë në klubin Vllaznia, ku ka thyer çdo marrëveshje me këtë klub dhe gjen kurajën të hedhë në gjyq klubin Vllaznia. Kjo ka qenë motoja e kësaj kompanie që në ditët që ka ardhur këtu, sepse një gjë të tillë e ka treguar edhe tek Durrësi.”
“Po kështu ju e dini se ka shtuar edhe tek Elbasani dhe Gjirokastra, të cilat ia kanë mbyllë dyert. Pra ia kanë mbyllë ekipet e kategorive inferiore për çudi gjen një derë të hapur në Shkodër”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu.