AlbanianSport.com 14/01/2021 15:40
ASNN – Trajneri i Vllaznisë, Brdariç: Përtej mungesave që kemi, jemi gati për Kukësin. Vllaznia shkon në përballjen me Kukësin, një nga dy skuadrat që e kanë mundur në fazën e parë me disa mungesa, por kjo nuk e shqetëson trajnerin Tomas Brdariç. “Jam shumë i lumtur që do të luajmë nesër në një fushë si Elbasan ndaj Kukësit, – tha ai në konferencën për shtyp, të mbajtur në Shkodër. – Kemi lojtarë supermotivuar dhe jemi gati. Kemi lojtarë për të premten, nuk ankohemi. Gurishta nuk luan, as Ardit Hoxha, Dunga dhe Da Silva.”
“Por mendoj se kemi lojtarë që mund t’i zëvendësojnë këta futbollistë që të luajnë, – ka vijuar ai. – Janë të përqendruar dhe e kanë treguar në përgatitje ashtu siç ua kemi kërkuar. Mendoj se do të jemi konkurrues në këtë përballje.” Gjermani i stolit shkodran e vlerëson lart kundërshtarin, përtej problemeve që çuan në largimin e Skënder Gegës nga posti i trajnerit të verilindorëve. “E kemi marrë shumë seriozisht, – ka theksuar Brdariçi. – I dimë pikat e forta të Kukësit.”
“Duhet të përballemi shumë mirë me ta, – ka vijuar ish-lojtari i Bajer Leverkusenit. – Të bëjmë maksimumin për të fituar dhe të marrim pikë ndaj tyre. E di se si kanë luajtur më parë, por kjo s’ka rëndësi. Të premten është ndryshe. Është ndryshe nga ajo humbje me ta. Kemi mësuar shumë. Kemi marrë rezultate pozitive. Duhet të vazhdojmë përpara dhe të tregojmë përqendrim maksimal. Të zbatojmë porositë për ndeshjen e nesërme.”
Duke premtuar një lojë sulmuese, Brdariç ka folur edhe për ardhjen më fundit tek skuadra shkodrane, sulmuesin e Guines, Salim Sise. “E dimë që nuk jemi në gjende të sjellim futbollistë me emër dhe të kushtueshëm si Tirana dhe ekipet e tjera, – ka ironizuar ai. – Duhet të jemi të përulur dhe për të ardhmen të punojmë fort. Të sjellim lojtarë të përshtatshëm për Vllazninë. Cise është djalë i mirë, ka karakter të fortë. Ai ka nevojë për kohë.”
“Duhet të shikojmë si do të përshtatet në ditët e ardhshme për të parë nëse është i përshtatshëm”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç. Takimi i vlefshëm për javën e 14-të të Kategorisë Superiore midis Kukësit dhe Vllaznisë luhet të premten në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 18:00.