AlbanianSport.com 17/03/2021 22:35
ASNN – Vllaznia kualifikohet për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa ka mposhtur me rezultatin 1-0 Korabin në çerekfinale, në ndeshjen e zhvilluar në “Loro Boriçi”. Pjesa e parë foli e gjitha për shkodranët, të cilët gjetën edhe rrugën e rrjetës me Arsid Krujën në minutën e 16-të, i cili me një gjuajtje të fortë e ndali topin në fundin e rrjetës. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa e dyta ishte më ndryshe, ku të dyja skuadrat u shfaqën më pak kërkuese. Rasti i vërtetë i artë do të vinte në minutën e 90-të, kur sulmuesi i Korabit, Skuka, shfaqet i vetëm me portierin Zogoviç, i cili e ndal fillimisht, ndërsa në gjuajtjen e dytë të sulmuesit të Korabit, ishte Mevlan Adili i cili ndali topin mbi vijën fatale, duke kualifikuar kështu shkodranët për në gjysmëfinale.
Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, foli pas triumfit në Kupën e Shqipërisë, ndaj Korabit, me rezultatin minimal 1-0, teksa e shikon këtë sukses si një pikënisje për skuadrën në të ardhme. “Një fitore minimale dhe e vështirë, – pohoi ai. – Pashë shumë elementë pozitive të skuadër në këtë fitore, që mund të jetë si pikënisje për skuadrën në te ardhme. Tentuam që të finalizonim me vertikalizime dhe të shënonim golin e dytë. E patë në fund, që kur rezultati është i ngushtë, mund të ndodhë të pësosh gol. Nuk kam patur dyshime për sa i përket formacionit. Doja t’i jepja një impuls formacionit.”
“Ata që janë në stol duhet të presin shansin e tyre. Ishte formacioni më i mirë që unë kisha menduar, – ka vijuar gjermani i stolit kuqeblu. – Unë kam një drejtor sportiv, kam një staf timin, kjo është mënyra e lojës që kemi zgjedhur dhe këtë aplikojmë. Duam të imponojmë lojën tonë kundërshtarin dhe të dalim përpara duke qarkulluar topin. Kemi pasur mungesë vetëbesimi në ndeshjet e fundit. Duhet të kemi sa më shumë vetëbesim dhe të jemi sa më shumë efektivë para portës. Festa speciale? Ka ndeshje ku nuk është e thjeshtë të fitosh. Jemi munduar të jemi gjithmonë me këmbë në tokë. Ka raste kur festojmë shumë, ka raste kur festojmë pak më pak.”
“Duhet të jemi të kujdesshëm edhe në pjesën e festimit”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç.