AlbanianSport.com 20/03/2021 23:55
ASNN – Trajneri i Vllaznisë flet përpara përballjes me krutanët. Një fitore të mirëpritur, e për më tepër, duke patur parasysh rrethanat e ditëve të fundit. Kështu e ka cilësuar trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, kualifikimin në mesjavë për në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. “Ndihemi shumë mirë, kemi arritur në gjysmëfinale dhe besoj se skuadra ka treguar një lojë të mirë, – ka thënë ai. – Gjithçka e kemi arritur me mund e me djersë dhe tashmë na takon të qetësohemi pak dhe të mendojmë për ndeshjen e rradhës që kemi dhe duhet të përqendrohemi 100 për qind për sfidën ndaj Kastriotit.”
Megjithatë, trajneri gjerman nuk ka mundur t’u shpëtojë shpjegimeve për gjendjen e krijuar. “Gjëja më e mirë është ta mbyllim atë pjesë dhe të mos e marrim shumë nga ana personale dhe të mos fokusohemi aty, – ka theksuar Brdariçi. – Duhet të tregojmë një forcë sa më të madhe, për t’u thënë të gjithëve se jemi të vendosur për ta kapërcyer këtë situatë. Vërtetë lojtarët mund të jenë mirë fizikisht, por presioni vjen nga veshët sepse shumë fjalë ndikojnë tek ato. Gjëja më e mirë gjithmonë është të flasim me lojtarët, në mënyrë pozitive dhe sa më konkrete.”
“Dhe t’i bëjmë pyetje vetes ku gjendemi për momentin, – ka vijuar ai. – Jemi në gjysmëfinale të Kupës dhe po ashtu edhe në kampionat jemi prapë në lojë dhe kjo gjë na motivon edhe për ndeshjet e ardhshme.” Për këtë arsye, trajneri i Vllaznisë ka zgjedhur të përqendrohet tek sfida e radhës, ajo me Kastriotin. “E rëndësishme është të fokusohemi tek puna dhe tek suksesi, – ka këmbëngulur 46-vjeçari. – Jam i bindur se nesër do të fitojmë ndaj Kastriotit dhe duhet të jemi në 100 % tonë që t’ia dalim. Ne i njohim anët e forta të Kastriotit.”
“E dimë që janë një ekip kompakt, kanë përgatitje të lartë fizike, – ka vijuar gjermani. – Edhe ne gjithashtu kemi përgatitur një plan për të luajtur ndaj kësaj skuadre, që të dominojmë në fushën e lojës. Duhet të tregojmë vlerat tona dhe të arrijmë tek fitorja.” Në konferencën për shtyp përkrah trajnerit ka qenë edhe ish-futbollisti i Kastriotit, Dejan Shehu. Takimi Kastrioti-Vllaznia, i vlefshëm për javën e 25-të të Kategorisë Superiore, do të luhet të dielën pasdreke, duke nisur në ora 13:00, në Stadiumin e Kamzës.